Kryeministri, Edi Rama në një dalje për mediat ka bërë të ditur se do të ndalohen shëtitjet në Liqenin Artificial në Tiranë por dhe në të gjitha parqet dhe pikat e grumbullimit të njerëzve në qytete të tjera.
Z. Rama paralajmëroi se, ende nuk ka mbërritur situata më e keqe dhe se duhet të përgatitemi për rritjen e numrit të personave të infektuar me COVID-19. Ai paralajmëroi se në dy javët e ardhshme numri i të prekurve do të vijë duke u rritur, duke shtuar se vetëm në javën e tretë mund të bëhet një bilanc.
“Numri i personave që do të bëhen për spital do të jetë më i madh se sa numri i shtretërve. Këtë problem e kanë pasur dhe vende të tjera, siç tregoi dhe rënia në kolaps e sistemit shëndetësor në Lombardi”, deklaroi Kryeministri.
Ndërkohë nga ana tjetër nënvizoi se masat e ndërmarra do të parandalojnë përhapjen e gjerë. Ndaj z. Rama u bëri apel qytetarëve që të qëndrojnë të izoluar në shtëpitë e tyre.
Pak minuta pas deklaratës së bërë nga Kryeministri, forcat e policisë kanë ndaluar qytetarët që të bëjnë xhiron e zakonshme në Liqenin Artificial, qoftë në këmbë qofte dhe me bicikletë.