Sarandi Çobo, 15-vjeçari që u dhunua disa ditë më parë nga një punonjës i policisë pranë zonës së Liqenit Artificial pasi u kap me biçikletë jashtë orarit të lejuar, ka rrëfyer për emisionin “Opinion” se çfarë ndodhi brenda rajonit të policisë pasi u shoqërua.
Në një intervistë për gazetaren Manjola Bregasi, 15-vjeçari është shprehur se polici që e dhunoi mbante shkop gome dhe jo pistoletë në brez, sepse siç i tha ai, nuk e lejonin të mbante armë pasi kohë më parë kishte tentuar të qëllonte dikë tjetër.
“Më çuan te rajoni pastaj dhe më futën në një dhomë dhe po më bënin presion. Po i njëjti polic në fjalë që më ka goditur. Po më thoshte që pse nuk flet këtu? Pse nuk bën gangsterin këtu, po më thoshte. Dhe ju ktheva me një fjalë, i thashë që: Ku ta di unë çfarë bën ti me atë pistoletë që ke në brez? Mund të ma vësh në ballë, i thashë unë. Edhe m’u drejtua dhe ma bëri që ‘e shikon që kam shkop gome këtu? Ngaqë s’e kam pistoletën se kam tentuar t’i gjuaj dikujt më parë, se po ta kisha ta tregoja unë’, më tha”.
Video e dhunës së ushtruar ndaj 15-vjeçarit bëri xhiron e mediave dhe të rrjeteve sociale, ndërsa punonjësi i policisë u pezullua nga detyra dhe ndaj tij ka nisur një procedim penal.