Reagon adoleshentja pas statusit të opinionistit.
Tre ditë më parë InfoMedia Albania zbuloi ekskluzivisht emrin e konkurentes më të re Ambra Meda, në spektaklin e kërcimit “Dancing With The Stars Albania”, që do të nisë transmetimin në datë 15 Tetor në Vizion Plus. Pjesëmarrja e Ambrës, vajzës e cila u bë e njohur për publikun shqiptar për luftën e saj ndaj kancerit, duket se ka ngacmuar opinionistin Olti Curri, i cili në fan page-n e tij në Facebook, e ka cilësuar këtë vendim si të tepërt.
“Më duket e tepërt që njerëz që janë gjendur protagonistë në ekran për shkak të historive të tyre prekëse apo për të kërkuar ndihmë në luftën me vdekjen të shfaqen në show, që janë ideuar për njerëz spektakli, sporti apo showbizi”, shkruan Olti.
Ai e cilëson adoleshenten si një yll në galaksinë e atyre që duan të jetojnë edhe pse fati i goditi me një sëmundje të rëndë duke shtuar, se, sipas tij, adoleshentja e ka fituar “Dancing With the Stars” të jetës së saj ditën që u shërua, ndaj ai do të preferonte më shumë ta ndiqte atë në ekran teksa udhëheq fushata ndihme për të tjerë fëmijë të sëmurë, që njëlloj si ajo, duan ndihmën e njerëzve. Sidoqoftë tekstshkruesi e shpreh qartë se ky është thjesht opinioni i tij personal ndaj uron, që anëtarët e jurisë profesionale, të cilët do duhet të gjykojnë ndonjëherë Ambrën edhe me pikët minimale, të mos shpallen si armiq të popullit.
Menjëherë pas këtij publikimi ka reaguar edhe vetë protagonistja, Ambra Meda, e cila e ka nisur reagimin e saj duke i kërkuar Oltit të ketë më shumë informacion përpara se t’i drejtohet një publiku të gjerë. “E vertetë, unë e fitova betejën më të rëndësishme atë me jetën dhe nuk kam rreshtur kurrë të jem mirënjohëse të gjithëve atyre që më ndihmuan, por edhe jam përpjekur të jem pranë të gjithë atyre që më kanë kërkuar ndihmë. Sepse unë më shumë se të gjithë e di çdo të thotë dhimbje, vuajtje, sëmundje. Mendoj që tani që e fitova këte betejë, unë kam të drejtë të jetoj, apo nuk duhet të qesh e të kërcej më?. Unë nuk e gjeta kuron per kancerin, e vertete. Unë nuk kam asgjë të jashtezakonshme. Por mendoj që televizioni nuk ka nevojë për gjëra të jashtëzakonshme o njerëz, televizioni ka nevojë për NJERËZ të thjesht.”– shkruan Ambra.
Reagimi i vajzës, që numëron me mijëra ndjekës në rrjetet sociale ka vazhduar më tej duke shkruar: “Unë mund të përçoj mesazhe më besoni, ka shumë fëmijë sot që janë sëmurë (ju flisni për fëmijë të sëmurë në përgjithësi), unë aktualisht shkruaj dhe komunikoj me shumë prej tyre, por ja që jo të gjitha publikohen. Dhe jam e sigurt që ata do ishin të lumtur të më shikonin mua në një garë tjetër, se do të thotë që edhe pse janë sëmurë aktualisht, po luftuan shumë mund t’ja dalin, edhe të jenë në skena të tilla duke gëzuar e duke provuar gjëra të reja.” Olti Curri ka zgjedhur t’i përgjgjet asaj me fjalët: “Ambra eshte ‘Dancing With the Stars’, jo ‘Dancing with normal people’. Jam dakort që tv ka nevojë për njerëz të thjeshtë, por thjeshtësia nuk tregohet duke kërcyer passo double veshur me pupla dhe mëndafsh”. “Nëse vërtet e dëshiron televizionin, zgjidh një vend apo emision ku peshe ka fjala, përvoja jote, mendimi dhe jo kërcimi, padjeshka apo sparkata. Sidoqofte suksese,” e mbyll Olti qëndrimin e tij.