Shkelja e të drejtave të autorit përballi para trupit gjykues shtëpinë diskografike Alba Trade Plus me Digitalb.
Alba Trade Plus shpk pretendon se platforma Digitalb pas përfundimit të kontratës në mars të vitit 2015, ka vijuar transmetimin në mënyrë të paligjshme të veprave muzikore të Universal Music dhe dy kompanive muzikore të huaja, titullare e të cilëve ishte Alba Trade Plus.
Kjo shoqëri kërkon dëmshpërblimin prej 500 mijë euro nga Digitalb, për shkak të shkeljes së të drejtës së autorit ku përveç transmetimit, ka shitur palëve të treta në mënyrë pirate vepra muzikore.
Administratorja e shoqërisë Alba Trade Plus shpk, Ana Babani tha se padia u ngrit pasi janë konstatuar shkelje të rënda të ligjit të mediave audiovizive dhe pronësisë intelektuale.
Gjatë seancës gjyqësore të drejtuar nga gjyqtarja Rezarta Mataj, Digitalb kërkoi njohjen e provave të reja dhe seanca u shty për datën 25 maj ora 12.00.
Kjo çështje gjyqësore u zhvillua në Ditën Ndërkombëtare të Pronësisë intelektuale dhe tregon se si subjekteve që u shkelet e drejta e autorit i drejtohen gjykatës për të ndaluar piraterinë televizive.
Shtëpia diskografike Alba Trade Plus për këtë çështje ka vënë në dijeni Komisionin Europian dhe Ambasadën e SHBA.