“Piramida,” emisioni më i ri në Top Channel, do të debutojë më 29 tetor dhe premton të sjellë një eksperiencë të re argëtimi për të gjithë familjen. Çdo të martë, në orën 21:00, shikuesit do të kenë mundësinë të ndjekin dy familje që përballen në katër raunde emocionuese dhe edukative për çmime që mund të shkojnë deri në 30,000 euro dhe shumë dhurata të tjera. Nën moderimin e Bora Zemanit, emisioni synon të përfshijë jo vetëm konkurrentët në lojë, por edhe publikun që ndjek nga ekrani.
Në çdo episod, sfidat e raundeve do të jenë të ndërtuara për të testuar njohuritë e përgjithshme dhe aftësitë e pjesëmarrësve për të gjetur përgjigje të sakta në tematika të ndryshme, ndërkohë që skena madhështore dhe dinamika ndërvepruese do të krijojnë një atmosferë festive dhe argëtuese. Bora Zemani theksoi se kjo është një mundësi unike që shqiptarët të përfshihen në një garë me sfida dhe lojëra të menduara për t’u përshtatur me çdo grupmoshë, ndërsa fton publikun të jetë pjesë e spektaklit përmes aplikimeve që mbeten të hapura në faqen e Top Channel.
Ky format vjen si një risi në programacionin e Top Channel dhe synon të sjellë familjen shqiptare në qendër të argëtimit të së martës mbrëma, duke kombinuar momente humori, emocion dhe fitime të mëdha për pjesëmarrësit e tij.