Ministrja e Arsimit, Besa Shahini i është përgjigjur pyetjeve lidhur me vitin e ri shkollor në kushte pandemie.
Shahini thotë se mësuesit dhe drejtuesit e shkollave kanë përgjegjësinë për të informuar prindërit lidhur me udhëzuesin e miratuar tashmë. Sa i përket nxënësve që s’munden ose rrezikojnë të vijnë në shkollë prej COVID-19, mund të ndjekin mësim online ose paralelisht leksionet në RTSH.
Më tej Shahini thotë se çdo shkollë do të ketë kujdestar kati që do të sigurohet për respektimin e protokolleve të sigurisë.
Ajo gjithashtu i ka dhënë fund edhe dilemës së ndalimit të ushqimit në klasë, duke theksuar se ka dy rreziqe, e para heqja e maskës në klasë, dhe e dyta kontakti me duar.
FJALA E BESA SHAHINIT
Mënyrën si udhëzuesi do zbatohet, do ju informojë mësuesi apo drejtuesi i shkollës.
PYETJA: A do ketë mundësi online për ata fëmijë që duan të ndjekin mësimin në kushte shtëpie?
Patjetër. Edhe leksionet në RTSH, që do xhirohen paralelisht me mësimet në shkollë, si dhe platforma unike për mësimin online do jenë në dispozicion të nxënësve që nuk shkojnë dot në shkollë. Ka nxënës me sëmundje kronike. Këta fëmijë do punojnë me mësim online, dhe do ndjekin mësimet në RTSH, por duke mbajtur edhe kontakte me mësuesit.
PYETJA: Lëndët kryesore në shkollë, kush i përcakton lëndët kryesore?
Përcaktimi ndodh në kurrikul. Lëndët që kanë më shumë orë në javë, matematika, gjuha, lëndët e shkencave. Në shkollat më të vogla, me më pak nxënës, ku rruhet distancimi social, aty do ketë gjithë plani mësimor. Tek ato me turne, aty do të jenë lëndët kryesore kombinuar dhe me mësim online.
Edukimi fizik do kryhet jashtë ambienteve, jo si më parë, por mësuesi duhet të garantojë distancimin fizik.
Secila shkollë do ketë kujdestar kati që sigurohet për mbarëvajtjen e mësimit, protokollit. Të gjithë mësuesit do kenë rol në shkollë, edhe nëse lënda e tyre nuk zhvillohet si më parë.
PYETJA: Pse nuk lejohet ushqimi në klasë?
Paraqet rrezik. Nëse hahet në klasë duhet të hiqet maska. Rrezikohen të tjerët. Preket me duar dhe rrezikohen edhe mësuesi. Pra duhet të evitohet.
PYETJA: Dezinfektimi mes turneve?
Ka dezinfektim të thjeshtë dhe profesional. Ka dezinfektim ditor, që pastrohen klasat e tualetet. Mos hezitoni të na shkruani.