Po, nuk kemi bërë asnjë gabim tek pyetja që kemi vendosur në titull, autorja e “Fifty Shades of Grey”, triologjia e famshme që u kthye në një seri filmash po kaq të famshëm, është duke lexuar e studiuar Kanunin e Lekë Dukagjinit. Erika L.James ka postuar në Instagram-in e saj një foto të kanunit, ndërsa bashkangjitur me të shkruan “Kërkime” dhe hashtag-un “TM2”, që në fakt tregon edhe arsyen përse e ka ndërmarrë këtë veprim.
Kështu, James besohet se është duke shkruar vëllimin e dytë të librit “The Mister”, gjë që konfirmohet nga hastag-u që ka përdorur për “The Mister 2”, ndërsa po dëgjoni historinë e librit të parë gjithcka do ju bëjë më shumë sens.
Në librin e parë tregohet një ngjarje rreth aristokratit Maxim Treveylan, një njeri i pasur që bie në dashuri me një emigrane të jashtëligjshme shqiptare, Alesia Demaci, e cila është trafikuar në Angli nga partneri i saj. Duke mos dashur t’ju bëjmë spoiler nëse doni ta lexoni, fundi i librit gjen dyshen që mbërrijnë në Shqipëri, pra Maxim dhe Alesian, me aristokratin që takon babin e vajzës dhe këtu mbyllet.
Duke dashur që historinë në vëllimin e dytë ta trajtojë në mënyrë sa më origjinale e të vërtetë, autorja e njohur mesa duket është duke studiuar kanunin, për të kuptuar më shumë mbi zakonet e vjetra të shqiptarëve dhe këtë material që ka udhëhequr e vazhdon akoma të udhëheq jetën e një pjese të mirë prej tyre, sidomos në veri të vendit.
Nuk e dimë se si do të shkojë, por shpresojmë që kanuni t’i sjellë fat sepse kritikat për librin e parë kanë qenë “shkatërruese”, megjithëse nisur nga komentet në Instagram janë shumë persona që presin vëllimin e dytë të librit ku protagoniste, sic e mësuar tashmë, është një shqiptare.