Programet e njohura televizive të sotme janë bërë ekuivalente të suplementeve që filluan të shfaqen në gazeta në shekullin e 19. Serialë si “Game of Thrones” dhe “Downton Abbey”, ashtu si Balzak dhe Dikens përpara tyre, shërbejnë si një burim i argëtimit dhe ushqejnë debat. Në këtë kuptim, skenaret e televizioneve tona janë shfaqur si mjete kyçe të analizave sociale dhe politike.
Të tilla mjete mund të përdoren për të kuptuar, për shembull, diferencën midis kryeministrit izraelit Binyamin Netanyahu dhe presidentit amerikan Barack Obama. Netanyahu ka ngecur ende në sezonin e tretë të “Homeland” – që është, i obsesuar me Iranin – kurse Obama, duke qenë se ka filluar të përfshijë kërcënimin e përtërirë rus në llogaritjet e tij strategjike – ka kaluar në sezonin e tretë të “House of Cards”.
Sigurisht, mundësia e krahasimeve të tilla e ka rrënjën në atë që shpesh ka në dorë famën e serive televizive: aftësinë për të ofruar një pasqyrë te një shoqëri – për të reflektuar shqetësimet dhe dëshirat e saj dhe për të krijuar një dritare përmes të cilës të huajt mund të shohin.
Konsideroni “Downton Abbey” një dramë britanike që ndjek jetët e familjes Crawley dhe shërbëtorëve të saj në shtëpinë klasike të fshatit të familjes, nga 1912 deri në mes të viteve 1920. Përse janë miliona njerëz nëpër botë – nga Europa te Shtetet e Bashkuara te Azia – kaq të tërhequr nga këto personazhe? Janë ata nostalgjikë për një kohë të dikurshme, që programi rindërton me realizëm? Apo janë ata të mahnitur nga dinamikat shoqërore që eksploron programi?
Për Julian Fellowes, që krijoi seritë, shpjegimi gjendet gjetkë – në kërkimet tona për rregull në një botë kaotike. Njerëzit ndihen shumë të çorientuar sot, beson ai, saqë ata janë të tërhequr prej sferës së rregullt të “Downton Abbey”, në të cilën vendosja, e përcaktuar qartë në hapësirë dhe kohë, qeveriset me rregulla strikte.
Ndërsa shtëpia Crawley shërben si një lloj strehe për personazhet e saj, ajo mund t’i japë shikuesve të saj një dalje të parashikueshme nga e cila mund t’ia mbathin nga e tashmja e zhurmshme dhe të shmangin të ardhmen e panjohur.
Po ashtu, drama politike amerikane “House of Cards” reflekton një lloj zhgënjimi – këtë herë me politikën e Shteteve të Bashkuara. Ndërsa “The West Wing”, një dramë politike e njohur që u shfaq nga 1999 deri në 2006 që portretizoi presidencën amerikane – e mbajtur nga një lider i sofistikuar, i kultivuar dhe njerëzor – me një lloj dëshire të madhe, “House of Cards” e zhyt shikuesin në një mjedis të errët të impulseve më të këqija të njerëzimit. Te “House of Cards”, bota nuk është siç shikuesit e besojnë se duhet të jetë, por siç ata kanë frikë se është.
Kjo është e kundërta e qasjes së marrë nga drama politike daneze “Borgen”, që prezanton një kryeministër të idealizuar, Birgitte Nyborg. Por efekti është i ngjashëm. Dikush shpesh dëgjon njerëz që thonë se problemi i vërtetë me të cilën përballet Danimarka dhe në veçanti klasa e saj politike – është se kryeministrit Helle Thorning-Schmidt i mungojnë pikat e forta të Nyborg.
Duke ekspozuar sfidat themelore dhe shqetësimet me të cilat përballet një shoqëri, një seria televiziv, mundet ndonjëherë pothuajse ta parashikojë të ardhmen. Në Francë, ‘“Engrenages’ e shitur në anglisht nën titullin ‘Spiral’ – eksploron thellë gjendjen e keqe të shoqërisë franceze. Në retrospektivë, seritë duket se kanë paralajmëruar tragjeditë që tronditën vendin në janar. Në veçanti, sezoni i pestë, që u transmetua në Francë në fund të 2014, ofroi një përshkrim klinik se si të rinjtë në periferitë e Parisit shkonin në rrugën e gabuar, ndërsa portretizonte marrëdhënien midis policisë dhe superiorëve të tyre politik si cinike dhe madje luftarake. Dialogu i programit mund të kishte ardhur nga një ‘drekë pushteti’ e jetës reale parisiane.
Programi televiziv që është shfaqur si më i debatuari në kohën tonë është, pa dyshim, “Game of Thrones”, një fantazi epike mesjetare e bazuar (gjithnjë e më përgjithësisht) mbi seritë e librave bestseller të George R.R. Martin A Song of Ice and Fire. Seritë nuk janë njohur vetëm për buxhetin e madh apo rrëfimin e ndërlikuar, por edhe për koreografinë e vazhdueshme të dhunës brutale.
Studentët e politikave ndërkombëtare, veçanërisht në Kanada dhe SHBA, pyesin veten nëse programi, duke theksuar rolin e brutalitetit absolut, inkurajon një vizion ‘realist’ të botës. Mundet egërsia e shfaqur te “Games of Thrones” – përfshirë prerjet e kokave, përdhunimin dhe torturën seksuale – të kenë ndihmuar në inkurajimin e taktikave si, të themi, Boko Haram dhe Shteti Islamik? Apo munden seritë – në të cilat dhuna shpesh sjell më shumë dhunë, por jo domosdoshmërisht i jep personazheve atë që kërkojnë – në fakt nënvijëzon kufijtë e forcës?
Në një nivel më filozofik, universi i programit – një kombinim i mitologjisë së lashtë dhe Mesjetës – duket se kap përzierjen e mahnitjes dhe frikës që shumë njerëz ndjejnë sot. Në një botë fantastike, të paparashikueshme dhe të dhimbshme deri në rrënim – që është aq komplekse saqë edhe shikuesit më besnikë të programit shpesh ngatërrohen. Në këtë kuptim, është më shumë si bota në të cilën jetojmë.
Megjithëse Perëndimi nuk ka monopol në prodhimin e serive TV, ai padyshim dominon fushën – dhe si rrjedhojë e reflekton shikueshmëria botërore e programeve. Duke marrë parasysh këtë, dikush mund të pyes veten nëse liderët kinezë apo rusë po krijojnë hapësirë në axhendat e tyre të zëna për të parë seri si “House of Cards” apo “Game of Thrones” në mënyrë që të kuptojnë mentalitetin e rivalëve të tyre.
Kryekëshilltarë qeverie, të paktën, duket se e njohin vlerën e sinkronizimit. Një mik kinez së fundmi më tha se “House of Cards” ishte shumë e njohur mes elitës politike të Kinës. Atyre u shijon ideja që i kujton se politika është po aq e pamëshirshme në shtëpi, nga sa është në atdhe.
Nga Dominique Moisi
Project Syndicate-BIRN