Mbrëmjen e djeshme në ekranin e Top Channel nisi programi “The Voice Kids” një format ky i suksesshëm i cili ka shikueshmëri të lartë kudo në botë. Një patentë e tillë si “The Voice” ka rezultuar e pëlqyeshme nga publiku dhe në Shqipëri janë shfaqur plot 6 edicione që kanë nxjerr fitues 6 emra të cilët i quanin “zëri i ri më i mirë”.
Por siç ndodh shpeshherë me formatet vjen një moment që duhet të “riciklohen” pasi dinamika, përzgjedhja, e madje edhe kërkesa për të konkurruar mund të ndodh që të ketë rënie. Producentët e kësaj patente në Shqipëri vendosën ndryshe, “The Voice” duhet të vijonte të gjente zërin më të mirë shqiptar por këtë herë në një dimension tjetër, duke bërë protagonistë fëmijët.
Historia ka treguar se aty ku protagonist janë të vegjlit kurioziteti për të ndjekur është akoma më i madh. Shembull mund të marrim edhe “Power Kids” një rubrikë e së Dielës Shqiptare e cila pati shikueshmëri të lartë nga të gjitha grupmoshat.
Në Top Channel nuk kishte një program që të kishte në qendër fëmijët, një mungesë kjo që mund të themi se vihet re edhe në televizionet e tjera. Duke i dhënë prioritet një formati të tillë, që bën bashkë fëmijë, të rritur e madje edhe moshën e madhe, kjo mund të jetë zgjedhja më e mirë që ka bërë Top Channel për të dalë fitimprurës në përballjen e së premtes mbrëma.
Ky nuk është edicioni i parë në fakt, por i dyti. Arsyeja përse askush nuk e mban mend “The Voice Kids 1” është sepse promovimi në atë kohë(2014) që iu bë këtij produksioni nuk ishte dhe aq i madh sikundër edicioni i dytë.
Aktualisht edicioni që sapo filloi e ka nisur maratonën me një fushatë promovuese që është për t’u përgëzuar. Parapërgatitjet kanë filluar prej muajsh dhe stafi është kujdesur që prej muajsh tashmë publiku shqiptar të informohej në të gjitha mënyrat e mundshme se “The Voice Kids” po vjen. Kjo vihej re edhe në xhirimin e spotit të programit, që lajmëronte datën e fillimit, katër anëtarët e jurisë dhe moderatori Ledion Liço shfaqeshin të veshur si personazhe brenda një filmi, brenda një magjie të vërtetë.
Një tjetër fakt që tregon peshën e “The Voice” këtë vit është se aktualisht ky është programi i vetëm që Ledion Liço moderon në Top Channel. Vetë iniciativa e tij dhe dëshira për të sjellë diçka ndryshe, ka ndikuar që këtij programi t’i jepet shumë rëndësi, deri në detaje.
Kushdo që e ka parë mbrëmjen e djeshme puntatën e parë besojmë se e vunë re se Liço ishte në formën e tij më të mirë, e madje mund të themi se për këtë gjë ka ndikuar edhe prindërimi pasi prej një viti ai është bërë baba.
Ideja për t’u dhënë hapësirë të shprehuri në program konkurrentëve ka qenë gjithnjë traditë e “The Voice” e lajmëtari në këtë rast Ledioni është përpjekur gjithnjë të jetë sa më spontan, real dhe funny. Me fëmijët padiskutim është më e vështirë por nga ajo që pamë mund të themi se ia ka marrë dorën.
Se sa shikueshmëri do të ketë në vijim nuk mund ta themi saktësisht por padiskutim që publiku e ndjek edhe për anëtarët e jurisë. Unë mund të them se fillimisht e hapa për të parë Aleksandër Gjokën, dikush tjetër për rikthimin e Enedës pas largimit nga “Portokalli” e një tjetër për Miriamin që i dedikohet një programi të tillë pas shkëputjes dhe lindjes së vajzës.
Kështu për mua, “The Voice” e nisi me këmbë të mbarë, por mbetet për t’u parë se çfarë do të na përgatisin në javët në vazhdim./Blitz.al/
I.M