Filmi “Përrallë nga e kaluara”, i regjisorit të mirënjohur Dhimitër Anagnosti, ka rilindur. Një projekt i rëndësishëm për restaurimin dixhital të disa filmave, i nisur para 4 muajsh, i ka dhënë frymë njërës prej komedive më të njohura shqiptare. Pas një procesi të gjatë restaurimi dixhital në një nga laboratorët e Hungarisë, pelikula i shpëton shkatërrimit. Specialistët kanë mundur t’i kthejnë pastërtinë zërit dhe figurës në formatin 2K ose Full High Definition.
Bashkë me komedinë “Përrallë nga e kaluara”, në projekt ka qenë i përfshirë edhe filmi tjetër i regjisorit Dhimitër Anagnosti, “Përjetësi”. Ministria e Kulturës dhe pjesërisht “Hungarian FilmLab” (Budapest), kanë miratuar dhe mbështetur këtë projekt, i cili pritet të shpëtojë edhe filma të tjerë shqiptarë si “Ballë për Ballë”. Ky i fundit është një nga filmat më të rëndësishëm të fondit filmik të AQSHF-së, i cili rrezikon dekolorimin total të ngjyrave.
Në pritje emergjente për t’i shpëtuar “vdekjes” janë edhe pesë filma të tjerë, dëshmi të shesh-xhirimeve, që me kalimin e viteve jo vetëm janë shkatërruar, por një pjesë e tyre as nuk ekzistojnë më.
“Përrallë nga e kaluara” restaurohet pas 28-vjetësh nga krijimi i tij. Premiera e dytë e komedisë do të jetë të premten në Kinema Millenium.
Marre nga Class
Foto: AQSHF