Ashtu siç edhe pritej, nata e pestë e Audicioneve të Fshehura, ka dhuruar jo vetëm emocione të mrekullueshme, por ka dëshmuar se ‘The Voice’ mbetet një sfidë e vështirë dhe një përvojë unikale, jo vetëm për konkurentët, por edhe për trajnerët. Një mbrëmje, e cila nuk arriti të zgjidhë të gjitha enigmat. Asnjë nga trajnerët nuk mundi të formojë ekipin e tij me 14 konkurentë. Kjo e bën natën e gjashtë, të Audicioneve të Fshehura, të mbushur me shumë enigma dhe natyrisht me emocione mjaft të forta.
Në këtë mbrëmje, “fati” më shumë i ka buzëqeshur trajneres, Jonida Maliqi, e cila zgjodhi për në ekipin e saj plot 5 konkurentë dhe Genc Salihu, i cili arriti të marrë në ekipin e tij, 3 konkurentë. Ndërsa më dorështrënguar janë treguar trajnerët, Alma Bektashi dy konkurentë dhe Sidrit Bejleri, i cili mori në këtë mbrëmje për në ekipin e tij, një konkurent. Jonida zgjodhi të ketë në ekipin e saj, Besarb Qerimin nga Gjilani, Rodolf Bykun nga Durrësi, Orges Dhimën, Denisa Sadikun dhe Mario Alibashin nga Tirana. Ndërsa Gencit përzgjodhi për ekipin e tij 3 konkurentë, përkatësisht, vajzën nga Prishtina, Qëndresa Gashi, vajzën nga Tirana, Najada Cenolli, si dhe djalin nga Erseka, Orhan Maliqi. Kurse Alma zgjodhi djalin nga Suhareka, Sahit Vata dhe Gigliola Haverikun nga Durrësi. Ndërkohë që, Sidriti zgjodhi Shkamb Prozhekun, nga Gjakova.
Siç vihet re, gjithçka tashmë është në “fije të perit” për konkurentët, në natën e 6- të, të Audicioneve të Fshehura. Por edhe për trajnerët, të cilët duan të bëjnë zgjedhjet e duhura. Askush nuk mund të gabojë. Mbetet nata e gjashtë e Audicioneve të Fshehura, e cila do të transmetohet në ekranin e Top-Channel të shtunën në mbrëmje, në orën 21:00, ajo që do të përcaktojë gjithçka dhe që do të zgjidhë të gjitha enigmat, se cilët do të jenë përfundimisht të 56 konkurentët që do të vijojnë garën, për t’u shpallur zëri më i mirë, në “The Voice of Albania 5”.
Marrë nga TCH