Mjekja infeksioniste Entela Kolovani ka rrëfyer disa prej momenteve që përjeton çdo ditë nga brenda spitalit COVID1. Mes emocionesh dhe e prekur, Kolovani tregoi në ‘Kjo javë’ se si është situata në këtë spital.
“Familjarët kërkojnë që të dinë më shumë dhe telefonojnë pa fund. Kjo bisede me ju në studio do të ishte hapje zemre e jona që nuk ndodh shpesh. Jo se ne jemi negativist për lidhjet dhe daljet tona në media, por është situata e tillë. Situata është me shumë ngarkesë, qoftë sa i përket punës dhe komunikimet që kemi me familjarët e të sëmurëve që janë të shtuar tek ne”, u shpreh Kovolani.
Lidhur me pacientët që presin në autoambulancë, ajo tha se bëhet një vlerësim nga mjeku nëse mund të qëndrojnë në pritje apo jo. Mes lotësh ajo tha se është e lehtë të gjykohet nga divani dhe të bësh kritika, ndërsa i bëri thirrje kolegëve të saj që të ofrojnë ndihmë për pacientët. Po ashtu ajo theksoi se momenti më i vështirë është vendimi për të futur në intubim pacientin, mushkëria e të cilit është dëmtuar rëndë nga COVID-19.
“Ka pasur raste kur pacientët kanë pritur jashtë me autoambulancë. Ne përpiqemi shumë që të realizojmë atë qe thash më parë lirimin e shtretërëve. Ne pranë këtyre autoambulancave kemi vendosur një numër të bombolave të oksigjenit, në mënyrë që mos ti ndërpritet ky oksigjen. Nëse pacienti që ka ardhur dhe është me saturim të oksigjenit 60-70, atëherë nuk mund të pres aty.
Do sillja në vëmendje një video një intervistë të një mjeku që e pashë ditët e fundit. E kishte nxjerrë BBC në lidhje me momentin e intubimit të një pacienti, i cili kishte shprehur pesimizmin e tij se nuk do t’i shihte më familjarët e tij. Për të gjithë ata që flasin nga divani i shtëpisë, do të doja që të preknin me dorë këtë situatë”, tha mjekja.