Ka arritur në 150 numri i episodeve të transmetuara në Tring të serialit “Dashuri e tradhëtuar”. Historia e Monës dhe e Pradeep na ka shoqëruar çdo ditë nga e hëna në të premtë në orën 17:30 në ekranin e 3Plus.
Megjithatë, sezoni i parë i këtij seriali përfundon këtu për të rifilluar më vonë në Tring me sezonin e dytë. Deri atëherë, në orën 17:30 në 3Plus do të nisë një serial i ri turk, “Perandoria Osmane”. “Perandoria Osmane” është prodhimi më i fuqishëm turk, në qendër të të cilit është rebelimi në Perandorinë Osmane të shekullit XVIII.
Sundim, fuqi, rebelim, tradhti, në një epokë të rëndësishme të perandorisë më të fuqishme të asaj kohe. “Një herë e një kohë Perandoria Osmane; Kryengritje” është një rrëfim për periudhën e rënies së fuqisë ushtarake e politike të Perandorisë Osmane nga njëra anë, dhe të luksit e qejfeve të stërholluara të elitës në kryeqytet, në atë çka njihet si Periudha e Tulipanëve.
Por teksa shtresa e lartë e Stambollit është e zhytur në argëtimet e saj, në rrugë ka pakënaqësi. Mungesa e luftërave dhe e plaçkës së luftës i ka lodhur jeniçerët, kurse populli ankohet për krizat ekonomike që kanë filluar të reflektohen në jetesën e tyre. Sundimi i gjatë e i qetë i sulltan Ahmetit të tretë po kërcënohet pa u ndier… Fitili i kryengritjes do të bëhet Halil Admirali, një ish-jeniçer dhe ish-admiral shqiptar, i cili tashmë punon në një hamam të Stambollit, frekuentues i njohur i mejhaneve të kryeqytetit dhe me famën e një gjëmëmadhi.
Ndjenja e hakmarrjes për të vëllanë e varur do ta shtyjë t’i prijë një kryengritjeje që do të përmbysë një sulltan dhe do të mbyllë një epokë në perandori. Hakmarrja është edhe motivi i një vëllai dhe motre, të cilët gjithashtu synojnë të rrëzojnë nga froni sulltan Ahmetin e tretë, i cili para shumë vjetësh pati urdhëruar ekzekutimin e të atit të tyre, asokohe ministër i Thesarit.
Vëllai arrin të fitojë besimin e kryevezirit dhe të emërohet në krye të trupës së spiunazhit, duke depërtuar ne zemër të shtetit që do të shkatërrojë. Por ndjenja e tij dhe e së motrës për hakmarrje është aq e fuqishme sa ata duan t’i japin fund tërë dinastisë osmane dhe në këtë pikë synimet e tyre puqen me ato të protektorit të tyre, shahut të Iranit, i cili thur plane për të ulur të birin në fronin osman… Mos e humbisni nga e hëna në të premte në 17:30 në 3Plus!