Është një lajm i keq për Facebook – dhe pastaj nuk është.
Vetëm pak javë më parë, një studim i ri nga Pew Research Center gjeti prova të një rritjeje të “eksodit të Facebook” në mesin e të rinjve, si dhe zhgënjimi në rritje me platformën kryesore të medias sociale mes përdoruesve të moshuar. Sipas Pew, 42% e të anketuarve në SHBA kishin marrë një pushim nga Facebook për “disa javë ose më shumë” gjatë vitit të kaluar. Një e katërta e të anketuarve madje thanë se kishin fshirë aplikacionin e lëvizshëm të Facebook nga telefonat e tyre “smart”.
Një raport i ri nga Instituti Reuters për Studimin e Gazetarisë dhe të Kantar Media konfirmon këto gjetje për një numër vendesh të tjera. Njerëzit në Brazil, Gjermani, Britani të Madhe dhe SHBA, thonë autorët, po largohen nga Facebook për katër arsye kryesore: rëndësia në rënie, rreziqet e ekspozimit, mjedisi i pakëndshëm dhe shqetësimet e privatësisë.
Lajme të këqija për Facebook? Jo dhe aq…
Ndërsa përdoruesit largohen nga gjigandi i medias sociale për ndarjen dhe diskutimin e lajmeve, platforma të tjera të mediave sociale si aplikacionet e mesazheve të çastit dhe Instagram po bëhen më të rëndësishme – dhe me Instagram, Facebook Messenger dhe WhatsApp, kompania kaliforniane zotëron shumicën e tyre.
Sipas raportit, përdoruesit preferojnë aplikacionet e mesazheve për ndarjen dhe diskutimin e lajmeve, sepse ato mund të përshtasin më saktë audiencën e tyre. Pjesëmarrësit gjithashtu e konsideruan më shumë privatësinë, sigurinë dhe saktësinë e drejtëpërdrejtë të tyre si arsye pse preferojnë aplikacionet e mesazheve mbi Facebook.
Për botuesit, këto lajme janë një çantë e përzierë.
Një nga sfidat kryesore përpara do të jetë lidhja me audiencat që flasin në platforma të mbyllura, veçanërisht WhatsApp dhe Facebook Messenger.
Siç shkruajnë autorët, “reduktimi i lajmeve në Facebook mund të mos jetë përgjigje. Njerëzit janë të interesuar në lajme dhe ata ende e vlerësojnë Facebook-un si një mekanizëm zbulimi. Ata po lëvizin në aplikacionet e mesazheve pjesërisht për të shmangur toksicitetin e debatit politik në hapësira më të hapura. Ata preferojnë të ndajnë dhe diskutojnë lajmet me miqtë e tyre të vërtetë. Facebook është duke u shtuar, në vend që të zëvendësohet, nga aplikacionet e mesazheve: lajmet janë shfaqur në Facebook dhe janë shpërndarë në WhatsApp.”
Marrë nga Ejo/Përkthyer nga IMAlbania.com