Ka nisur sot në orën 09:00 procesi i zgjedhjeve brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim, që do të zgjasë deri në orën 16:00.
Anëtarët e LSI-së po votojnë këtë të shtunë për forumet drejtuese dhe do të përcaktojnë strukturat që do të drejtojnë forcën politike, që aktualisht udhëhiqet nga Monika Kryemadhi.
Vlen për t’u theksuar që për herë të parë do të votohet online, ku të gjithë ata që kanë një kartë anëtarësie në LSI do të zgjedhin të preferuarit e tyre përmes aplikacionit.
Ndërkaq ata që nuk janë të pajisur me kartë do të votojnë pranë qendrave të votimit që janë hapur në të gjitha bashkitë.
Në një deklaratë për media lidhur me zgjedhjet, zv/kryetari i LSI Luan Rama do të shprehej: “Edhe njëherë tjetër LSI jo vetëm bëhet pararendëse, jo vetëm bëhet promotore, por është shembulli më i mirë i transparencës, shembulli më i mirë i vlerës dhe pushtetit real që kanë anëtarët e saj, të cilët me votën e tyre do të zgjedhin nesër Kryetarin e ri të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që në fakt është rikonfirmim i mandatit të Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nuk ka ndonjë sekret që LSI do të votojë nesër Monika Kryemadhin në detyrën e Kryetarit të LSI-së, për të dhënë në këtë mënyrë mesazhin e mbështetjes, mesazhin e unitetit, mesazhin e solidaritetit dhe mbi të gjitha mesazhin e vendosmërisë për të fituar në zgjedhjet e 25 prillit”.