Ilir Meta është i pari President i Republikës në historinë e Shqipërisë që shkarkohet nga Kuvendi.
Deputetët kanë votuar sot pas një seance plenare të qetë dhe pa debate, për shkakrimin e Metës për shkelje të Kushtetutës së Shqipërisë.
105 deputetë kanë votuar për shkarkimin e Metës, 7 kanë votuar kundër dhe 3 abstenim.
Raporti i Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit u votua më herët me 104 pro, 7 kundër, 2 abstenim dhe 1 e pavlefshme.
Ky raport gjente shkeljet e Metës, kryesisht gjatë periudhave para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit, 2021.
Shkelja e unitetit, njëanshmëria në zgjedhje, deklaratat për dhunë, janë disa nga konstatimet e raportit që brenda pesë ditësh do të shkojë në duart e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese. Janë ata që do të shqyrtojnë dhe brenda tre muajve do të shprehen lidhur me shkarkimin e presidentit Meta.
Kjo është hera e parë në historinë e Kuvendit të Shqipërisë, që votohet për shkarkimin e presidentit, për më tepër, të një presidenti të propozuar dhe zgjedhur në këtë post nga vetë maxhoranca e qeverisë Rama katër vite më parë.