Doktor Pëllumb Pipero u nderua sot me titullin e lartë “Qytetar Nderi” në qytetin e Skraparit,vendi ku u lind dhe u rrit.
Pipero u prit me buqeta me lule e përqafime nga qytetarët e Skraparit, miqtë, kolegët dhe familjarët e tij. Me kërkesën e qytetarëve të Skraparit,Këshilli Bashkiak miratoi me unanimitet në 28 Maj 2020 dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i Skraparit prof.dok. Pëllumb Piperos,me motivacionin
“Për veprimtari të shquara profesionale dhe akademike përgjatë gjithë karrierës së tij në fushën e mjekësisë,veçanërisht atë të sëmundjeve infektive si dhe për kontrollin e çmuar profesional e publik në përballimin e situatës së pandemisë së shkaktuar nga Covid-19”.
Në ceremoninë e organizuar mesditën e sotme përpara bashkisë së qytetit të Skraparit kanë qënë të pranishëm jo vetëm përfaqësues të pushtetit vendor por edhe deputetë, ministra, qytetarë të Skraparit si dhe kolegë e familjarë të Piperos.
Kryebashkiaku i Skraparit,Adriatik Mema,është shprehur se,në kohën më të vështirë që kaloi dhe po kalon vendi ynë për shkak të pandemisë Covid-19 dhe kur të gjithë ishin në gadishmëri për ti bërë ballë këtij armiku të padukshëm e të kthyer në një rrezik serioz për jetën e banorëve në gjithë globin, ishin bluzat e bardha, mjekët dhe infermierët ata të cilët të rreshtuar në frontin e parë të kësaj lufte dhe me punën e tyre,sakrificën,dashurinë për njerëzit,u shndërruan në heronjtë e vërtetë të përballimit të kësaj situate të pazakontë.
Memaj ka deklaruar se,të gjithë jemi dëshmitarë të kontributit profesional dhe human të mjekëve,deri në kufijtë e lodhjes së tejskajshme,për tu shërbyer njerëzve të prekur nga ky virus dhe që në asnjë moment nuk u dorëzuan.
“Profesor Pëllumb Pipero,me punën e tij në ndihmë të pacientëve të prekur dhe me këllishat e tij publike dhe të çmuara,u shndërrua në njeriun që përçonte qetësi e siguri tek qytetarët në mbarë vendin tonë. Ai ka qenë dinjitoz në çdo dalje të tij mbrëmjeve në televizione,ku qytetarët prisnin me padurim këshillat e tij”, ka thënë Memaj.
Pas marrjes së titullit,prof.dok.Pëllumb Pipero u shpreh se, jo vetëm u emocionua por edhe u befasua për titullin e madh të qytetarit të nderit që mori sot nga Këshilli Bashkiak i Skraparit,me inisiativën e shumë qytetarëve dhe kolegëve të këtij qyteti.
“Është nder,obligim dhe përgjegjësi e madhe të kesh titullin “Qyterar Nderi” Skraparit,një qyteti që nuk i kanë munguar as burrat dhe as gratë,as pedagagët, akademikët,mjekët,deputetët e ministrat. Kjo pandemi evidentoi shumë vlera të shoqërisë njerëzore,evidentoi solidaritet, mirëkuptim,përkushtim,respektim të normave të veçanta e shpesh të detyruara që nuk ishin të dashura por të domosdoshme. Në këtë pandemi unë dhe kolegët e mi kemi bërë thjesht detyrën dhe unë si pjesë e kësaj gjenerate mjekësh do të vazhdoj të bëj detyrën time të mjekut deri në fund”,ka thënë Pipero.
Mjeku i shquar Pëllumb Pipero ka lindur dhe është rritur në fshatin Lishanjë të rrethit të Skraparit,nga i cili u largua drejt fakultetit të mjekësisë pasi mbaroi shkollën 9-vjeçare dhe të mesme,me rezultate të shkëlqyera.
Top Channel