Partinë Demokratike dhe enkas z.Berisha duket se e ka kapur një zell i fortë për t’u marrë me çështje të gazetarisë këtë javën e fundit. Brenda 7 ditëve janë shënuar katër precedentë kur në gazetën zyrtare të PD-së dhe në Facebook-un e Berishës, mbrohen, sqarohen ose atakohen gazetarë të ndryshëm në Shqipëri.
Sinjali i parë erdhi më datën 26 nëntor kur në gazetën Rilindja Demokratike u publikua një shkrim ku sulmohej krejt hapur prezantuesja e TV Klan Alketa Vejsiu, duke e cilësuar atë një vegël të Ramës dhe duke i dhënë pronarëve të këtij televizioni mesazhin mes rreshtave se:
“Rama është në hall dhe Alketa është në hall. Nëse këta të dy janë në hall, përse duhet të jetë dhe spektakli në hall? Apo që për të gjithë bashkë fundi të jetë i njëjtë dhe anija që ka nisur të fundoset t’i marrë të gjithë me vete?”
Fjalia e fundit e këtij shkrimi të jep përshtypjen se nuk ishte Alketa Vejsiu objektivi i vërtetë por ajo është përdorur si artificë për të çuar mesahin tek Klan se nëse kanë vendosur të hipin ‘në një anije’ me Ramën e kanë të kotë, sepse sipas PD-së, kjo anije ka nisur të fundoset.
Sinjali i dytë erdhi tri ditë më parë kur krejt papritur në Rilindjen Demokratike, publikohet një shkrim me titullin “Si po bie MAPO në prehërin e qeverisë”. Në këtë shkrim ofroheshin të dhëna mbi disa detyrime tatimore që kishte pronari i Media Mapo, Henri Çili dhe për disa borxhe të tij në Banka dhe gjetkë, dhe sipas PD-së, këto ishin detyrime që e kishin imponuar Çilin që të ndryshonte linjën editoriale të gazetës, të mbështeste qeverinë, me qëllim marrien e ndihmës qeveritare në këmbim për problemet e veta.
Ky shkrim i RD-së ka krijuar shumë pështjellim në PD, pasi është bërë veç një ditë pasi u zgjodhën dhe strukturat drejtuese, ku një kontigjent emrash të njohur si “njerëzit e Çilit”, morën poste në PD. Askush nuk po e kuptonte pse njerëzit e Çilit po bënin përpjetë me karrierën në parti, ndërsa Çili personalisht goditej për evazion fiskal në gazetën zyrtare të PD-së.
Precedenti i tretë u shënua dje kur Berisha i dha një sqarim në facebook gazetarit kosovar Berat Buzhala në lidhje me deklarimin e Berishës për Rambujenë në vitin 1999.
Por Berisha nuk është ndalur me kaq, pasi ka bërë dhe një status mbi atentatin e denoncuar nga gazetari Artur Çani. Berisha ka bërë një status krejt të pazakontë në Facebook, ku përveçse akuzonte politikisht Koço Kokëdhimën dhe Edi Ramën si përgjegjës të episodit që i ndodhi Artur Çanit, ofronte dhe një detaj pikant në atë që kishte shkruar.
Lexoni me vëmendje çfarë thotë Berisha:
“Burimet e sigurta njoftojne se Çanit i kane dorezuar dokumenta te shumta punonjes te Albpetrolit dhe deshmi qe faktojne se kjo vjedhje nder me te medhate ne historine e vendit kishte “mbikqyrje edhe nga siper”.
Ndërkaq Berisha thotë dhe se:
“Dosja, e cila heton nje vjedhje te permasava te papara, lidhet me Koço Kokedhimen dhe drejtorin e tij te Albpetrolit, Puka si dhe me Edi Ramen dhe drejtorin e drejtorise se marreveshjeve per hidrokarburet, kusheri i pare i bashkeshortes se Edi Rames si dhe me Ermir Avdaj, nipçja e Koço Kokedhimes, drejtor i shitjeve te naftes”.
Si rregull investigimi për të cilin flet Berisha është një investigim delikat, për të cilin maksimumi mund të kenë dijeni ndërsa është në proces, vetëm gazetarët dhe bosët e televizionit, por kurrësesi të tjerë persona, aq më shumë dhe mbi përmbajtjen e emrave konkretë që janë objekt investigimi.
Berisha ka përdorur politikisht një dijeni që ka pasur për investigimin dhe në çdo rast e ka dëmtuar këtë investigim(në rast se vërtetë ekziston një i tillë), sepse ende pa u publikuar investigimi, Berisha ka dhënë verdiktin, se aty jo vetëm është vjedhur por dhe se kush e ka organizuar vjedhjen.
Askush nuk mund të ishte më efiçent se Berisha dje, në goditjen paraprake të imazhit të këtij investigimi.
Berisha thotë shpesh se ai është një ‘dashnor i medias’ por katër precedentët e mësipërm tregojnë se në gazetën e partisë së tij RD, televizioneve u dërgohen mesazhe të koduara që të ‘zbresin nga anija e Ramës’, por ndodh dhe më egër, si në rastin e MAPO-s së Çilit, kur një ish-aleat mediatik i PD-së, tashmë konsiderohet si armik i shpallur në RD, madje i publikohen dhe të dhënat fiskale të biznesit të tij.
Por dhe kur niset për të të mbështetur, Berisha të njollos dhe të godet po njësoj, siç ndodhi me investigimin e dekonspiruar politikisht nga vetë Berisha, që nuk bën gjë tjetër veçse i shtron rrugën paragjykimit dhe politizimit të produktit.
Në finale, nuk është e vështirë të kuptosh se Berisha dhe PD janë shumë të vëmendshme kohët e fundit ndaj mënyrës se si media u krijon atyre hapësirë. Kanë nisur të ndiejnë braktisjen dhe nga aleatët e tyre të dikurshëm mediatikë, nga ish-garda mediatike.
Vetëm një gjë nuk e kanë bërë llogari me sa duket, kjo gardë u gjend pranë tyre për çështje kryekëput interesash dhe emergjencash financiare, i shërbeu me zell e me tepri Berishës, PD-së dhe ish-qeverisë, por në çdo rast i shërbeu si mercenare, ndaj dhe kthimi i shpinës sot, që Berisha e ka me aq merak, në fakt është një rezultat logjik i sjelljes prej mercenari dhe nuk ka ndonjë çudi.
Me sa duket z.Berisha nuk ka ditur të jetë një dashnor strategjik i medias, i ka joshur gjithnjë nëpërmjet favoreve dhe ‘lehtësirave fiskale’, mbaruan favoret, mbaroi dhe dashuria.
Marrë nga Pol.al