Shefi ekzekutiv i Telegram, Pavel Durov, është arrestuar nga policia franceze në aeroportin Le Bourget, në veri të Parisit. Arrestimi i Durovit, i cili ndodhej në avionin e tij privat, u bë në bazë të një urdhri për shkelje që lidhet me aktivitetet e aplikacionit të mesazheve Telegram.
Ambasada ruse në Francë ka njoftuar se po ndërmerr hapa të menjëhershëm për të sqaruar situatën e arrestimit të 39-vjeçarit. Telegrami, një nga platformat më të njohura të mesazheve, është veçanërisht popullor në Rusi, Ukrainë dhe shtetet e tjera të ish-Bashkimit Sovjetik. Pavarësisht ndalimit të përkohshëm në Rusi në vitin 2018, platforma ka mbetur një mjet i rëndësishëm komunikimi dhe është renditur ndër platformat kryesore të mediave sociale në botë.
Durov, i cili themeloi Telegramin në vitin 2013, u largua nga Rusia në 2014 pas refuzimit për të përmbushur kërkesat e qeverisë për të mbyllur komunitetet e opozitës në platformën e tij të mediave sociale VKontakte, të cilën më vonë e shiti. Arrestimi i tij në Paris ngre pyetje të mëdha për të ardhmen e platformës dhe ndikimin e saj global.