Ndryshe nga çdo vit, besimtarët ortodoksë për herë të parë do e kremtojnë pashkën në një mënyrë krejt ndryshe nga tradita. Ndërsa Java e Madhe ku Kisha Orthodhokse kremton pësimet e Krishtit u krye me dyer të mbyllura në të gjitha kishat, Pashka do të vazhdojë gjithashtu me të njejtin rregull.
Duke filluar që nga e Enjtja e kësaj jave, RadioTelevizioni Shqiptar ka transmetuar shërbesat e pasditeve dhe më të rëndësishmet për të gjithë besimtarët drejtëpërdrejtë nga Katedralja e Ngjalljes së Krishtit përmes kanalit RTSH 3.
Kjo ishte hera e parë që RTSH transmeton rresht shërbesa fetare, nisur kjo dhe nga situata e pazakontë që ka kapluar vendin dhe mbarë botën duke patur dhe parasysh interesin e lartë të besimtarëve.
Edhe këtë të shtunë në mbrëmje, RTSH do të transmetojë Shërbesën e Ngjalljes dhe Meshës së Pashkës duke filluar nga ora 23.00 në kanalin kryesor RTSH 1.
Ditën e Dielë pasdite, një hapsirë tjetër në RTSH 3 kushtuar komunitetit do të jetë në orën 18.00 me Mbrëmësoren e Dashurisë./IMAlbania.com/