Duhej të paraqitej në gjykatë si i pandehur, por është përfshirë në përleshje fizike, kërcënim me armë ndaj policëve. ReportTv ka zbardhur dosjen e akuzave që rëndojnë ndaj Roland Kryemadhit i cili pengonte fëmijët të ndiqnin arsimin 9 vjeçar. Ndërsa të dielën ai do të dal në gjyq pasi nga tarracA e shtëpisë në Kamës kërcënoi me pistoletë policët me fjalët “pasha Allahun, largojuni do ju vras”.
Shoqërimi i detyrueshëm në gjykatë, rezulton se është arsyeja që Roland Kryemadhi është përplasur me policinë e Kamzës e më pas është vetëdorëzuar kur në lojë ka hyrë RENEA.
ReportTv ka siguruar dosjen e prokurorisë, nga ku rezulton se policia ka trokitur në portën e shtëpisë së tij për ta shoqëruar në gjyqin ku ai ishte i pandehur për keqtrajtimin e fëmijëve. Por sapo ka parë policët ai është bërë nervoz, dhe teksa ata mundoheshin t’i vinin prangat ai u ka ikur nga duart kanë dëshmuar policët.
Me t’u futur në banesë 37-vjecari ka mbyllur derën duke goditur një polic me shkelm në bark dhe ka mbyllur derën duke u ngjitur në tarracën e katit të dytë të kësaj banese. Në dorë me një pistoletë kanë dëshmuar policët ai na u drejtua me fjalët “pasha Allahun, largojuni prej këtu se do ju vras”.
Në këtë moment operacioni për kapjen e tij është ndalur dhe është njoftuar nga patrulla reparti RENEA i cili pas mbi 40 minutave negocim ka bërë të mundur kapjen e tij. ReportTv ishte edhe një ditë më parë në banesën e Kryemadhit, ku nga kontrolli për armë policia gjeti vetëm një thikë ndërsa bashkëshortja e tij deklaronte se fëmijët nuk duan të shkojnë në shkollë.
Kryemadhi do të dalë të dielën para gjykatës për tu njohur zyrtarisht me akuzat ndërsa prokuroria ka kërkuar ndaj tij masën arrest në burg.