Ditët e fundit i gjithë rrjeti ka shpërthyer në komente të ashpra lidhur me jurinë e spektaklit të kërcimit, “T’ka mami yll” e kjo jo pa arsye. Albi Nako, pjesë e jurisë ka bullizuar një nga fëmijët e spektaklit, një konkurrente 8-vjeçare për shkak të peshës. Mirëpo, deri më tani, nuk ka patur asnjë reagim, nga koreografi, e as nga Riselda Sejdia e Erjona Rusi, lidhur me videon që ka bërë xhiron e rrjetit.
Krejtësisht ndryshe nga anëtarët e jurisë, sot për herë të parë, ka reaguar moderatorja e emisionit, Ilda Bejleri, që duhet thënë, ka një qëndrim tërësisht të ndryshëm nga ata.
Ajo ka publikuar në Instastory një video të sajën me 8-vjeçaren, krahas të cilës ka shkruar se “yllin” krah saj, siç e quan ajo, do ta ketë bashkëprezantuese.
“Edhe pse kemi të përbashkët që na pëlqen të hamë gjërat që duam, përsëri ëndrrat tona do I çojmë deri në fund”, shkruan Ilda, duke i bërë ‘tag’ edhe tre anëtarëve të jurisë.
Ndërkohë, kujtojmë se gjatë ditës së sotme, rrjeti ka “shpërthyer” në akuza edhe kundrejt Erjona Rusit, pas Albi Nakos të cilin e ‘shënjestruan’ fillimisht, duke shprehur çudi sesi një moderatore si ajo, me 20 vite karrierë dhe ‘e vetëdeklaruar’ si mbrojtëse e kauzave për të drejtat e njeriut, të bëjë këtë lloj komenti, e batute, aspak të këndshme e bullizuese…