Pas mbylljes së faqes Nimi TV para pak javësh, Facebook ka mbyllur edhe faqen e TV ALB, kompaninë tjetër të shoqërisë Setplex, e cila operonte në SHBA. Këto kompani për vite të tëra kanë piratuar kanalet e Digitalb & Supersport.
Pirateria është problemi më i madh në ditët e sotme, e cila shkatërron vlerën dhe argëtimin për konsumatorët, transmetuesit dhe shpërndarësit e përmbajtjes.
I pyetur nga IMA, Adminstratori i Digitalb, Z. Redi Lamaj, u shpreh se: “Ky është një sukses në luftën ndaj piraterisë. Për një kohë të gjatë ne kemi raportuar mashtrimin që po kryenin këto kompani dhe falë edhe ndihmës së partnerëve tanë ndërkombëtarë, pas heqjes së aplikacioneve të tyre nga Google, sot kemi arritur që t’i heqim nga Facebook. Digitalb ka investuar shumë për të përmbushur pritshmëritë e konsumatorit shqiptar dhe të gjitha kompanitë që përfitojnë nga puna jonë do të kenë të njëjtin fat. Ne jemi organizuar dhe goditjet janë planifikuar të njëpasnjëshme në territore të ndryshme sipas prioriteteve. Konsumatori shqiptar duhet të tregohet i kujdesshëm dhe të mbrojë veten nga zgjedhjet e gabuara.”
Pirateria televizive është duke u sulmuar në mënyrë intensive muajt e fundit nga ana e autoriteteve më të larta ligjore në bashkëpunim me kompani të fuqishme që ofrojnë shërbime të internetit duke përfshirë Google dhe Facebook.
Rrjeti gjigand social përpiqet që të evitojë çdo rast të promovimit të personave që shkelin ligjin duke përfshirë dhe të drejtën e autorit./IMAlbania.com/