Tregu shqiptar i telefonisë celulare do të mbetet me tre operatorë, pasi Autoriteti i Konkurrencës ka pranuar kërkesën e Plus Communication për të dalë nga tregu dhe për t’ia kaluar frekuencat e saj kompanive Vodafone dhe Telecom Albania.
Në vendimet e datës 23 nëntor, Autoriteti i Konkurrencës sqaron se dalja e Plus nga tregu nuk vjen si përpjekje për të krijuar kushtet e oligopolit, por sepse Plus ka dëshmuar se që prej themelimit ka qenë vazhdimisht me humbje. Megjithëse ky autoritet pranon se dalja e një operatori nga tregu mund të sjellë rritje të çmimeve, premton se tregu do të mbahet nën monitorim të vazhdueshëm.
“Gjatë gjithë viteve të operimit në treg, që nga viti 2010, shoqëria ka rezultuar me humbje të konsiderueshme. Humbja e akumuluar në vite kapin shifra të konsiderueshme rreth 6.1 milion lekë dhe për këtë arsye aksionaret e shoqërisë kanë ndërmarre dy herë masa ristrukturimi të kapitalit për të mbuluar humbjet”, thuhet në deklaratën e Plus.
Por çfarë do të ndodhë me më shumë se 208 mijë abonentët e Plus? Autoriteti i Konkurrencës sqaron se çdo pajtimtar i Plus do të pyetet paraprakisht për zgjedhjen e operatorit që do të marrë dhe ndërrimi i kompanisë do të bëhet sipas ligjit në fuqi, pa kosto shtesë dhe duke ruajtur të njëjtin numër./Tiranapost.al