Ish-deputeti, Kastriot Islami, thotë se pas pandemisë vendi mund të përballet me krizën ekonomike më të rëndë që ka kaluar ndonjëherë.
Për Ora News, ai thotë se kjo pandemi ka gjunjëzuar vendet më të zhvilluara, ndërsa Shqipëria mund të vuajë pamjaftueshmërinë ushqimore.
Islami: Pas kësaj pandemie do të vijë kriza tjetër ekonomike shumë shpejt dhe kjo krizë do të jetë një krizë ndoshta nga më të rëndat në historinë e Shqipërisë. Edhe vende të zhvilluara si Franca, Gjermania, SHBA apo Anglia po përgatiten mirë për të dalë nga kjo krizë në mënyrë sa më të shpejtë dhe graduale që të shmangin një kolaps ekonomik që do të jetë me pasoja disa dhjetëra vjeçare. Për Shqipërinë mund të shtohet problemi i pamjaftueshmërisë ushqimore dhe ndoshta i urisë për shumë kategori dhe familje shqiptare.Sot pashë një revistë me 11 foto nga Afrika, India dhe në to ishte vetëm një vend nga Europa, Shqipëria, ku tregohej si ankoheshin njerëzit edhe për ushqimin e drekës.
Sa i takon menaxhimit në pandemisë në vendin tonë, Islami thotë se duhet me patjetër të rritet numri i testimeve.
Islami: Që një krizë të menaxhohet me sytë hapur duhet të rritet numri i testeve. Po kalojnë 5 javë dhe Rama nuk reagon për këtë çështje. OBSH dhe opozita kanë thënë teste, teste. Ekspertë të pavarur gjithashtu. Gjithë kjo krizë tentohet të menqxhohet për interesat e një individi nga një individ në mënyrë aprofesionale, jo transparente dhe për më tepër antiligjore dhe antikushtetuese. Gjobat ishin antikushtetuese dhe pa kërkuar ndjesë bën sikur po fal diçka antikushtetuese. Dhe së dyti diskriminimi i grupeve vunerabël ndaj kësaj sëmundje. Kushtetuta e ndalon diskriminimin.