Gjykata e Apelit në Greqi shpalli partinë neo-naziste Agimi i Artë organizatë kriminale dhe një numër anëtarësh të partisë fajtorë për vrasje dhe krime të tjera, një goditje e madhe kundër një prej lëvizjeve më ekstreme politike në Europë.
Familjet e viktimave të Agimit të Artë në sallën e gjyqit dhe mijëra njerëz jashtë, shpërthyen në duartrokitje teksa gjykatësit dhanë vendimin. Gjyqi, i cili ka zgjatur më shumë se pesë vjet, ka të ngjarë të përshpejtojë rënien e lëvizjes së ekstremit të djathtë që u bë partia e tretë më e madhe politike e Greqisë gjatë krizës ekonomike të vendit.
Më parë, një grup i njohur për sulmet e dhunshme ndaj emigrantëve dhe të majtëve, Agimi i Artë u rrit në popullaritet pas vitit 2010, kur kreditorët ndërkombëtarë të Greqisë vendosën masa shtrënguese në vend, duke përshpejtuar kaosin ekonomik që e çoi papunësinë në 27%.
Partia, e cila më parë ishte shumë e vogël për të fituar vende në parlament, fitoi 7% të votave në zgjedhjet e vitit 2012 dhe u rrit në mbi 10% mbështetje në sondazhet e opinioneve, duke ilustruar sesi zemërimi popullor në lidhje me rrjedhën politike të Evropës po krijonte mundësi për grupe radikale në të gjithë kontinentin.
Autoritetet greke filluan një hetim në shkallë të gjerë kundër Agimit të Artë pas një serie ngjarjesh të dhunshme në fund të vitit 2013, duke përfshirë vrasjen e artistit antifashist, Pavlos Fyssas. Udhëheqësi i Agimit të Artë, Nikos Michaloliakos, dhe disa anëtarë të Parlamentit u akuzuan dhe u arrestuan.
Pavarësisht kësaj, Agimi i Artë mbeti partia e tretë më e fortë në zgjedhjet e vitit 2015. Por mbështetja u dobësua pasi Greqia filloi të rimëkëmbet nga kriza e borxhit. Në zgjedhjet e vitit 2019, partia nuk hyri dot në parlament.
Gjykata dënoi 68 anëtarë të partisë për krime të ndryshme duke përfshirë vrasje, vrasje në tentativë, sulme të dhunshme dhe mbajtje të armëve të paligjshme.
Burimet: Wall Street Journal, New York Times