Në mesazhin e shpërndarë sot në Sallën e Shtypit të Vatikanit, që Papa u ka drejtuar operatorëve të komunikimit me rastin e Ditës botërore të mediave, që do të kremtohet në festën e Shëlbumit, ai u kërkon mediave dhe operatorëve që të behen përçues të lajmit të mirë.
Shpesh jemi si të hutuar e të trishtuar nga lajmet e këqija, kronika e zezë, luftëra, skandale etj. Papa vë theksin në mundësinë që t’i lihet vend edhe lajmit të mirë.
“Mbetet fakti – thotë Papa – që, në një sistem komunikativ ku vlen logjika se një lajm i mirë nuk përbëninters e atëherë as nuk është lajm dhe ku drama e dhimbjes dhe misteri i të keqes kthehen lehtësisht në spektakël, mund të jemi të tunduar të përgjumim ndëgjegjen tonë apo të biem në dëshpërim”.
Prandaj me mesazhin e tij ai dëshiron të ofrojë një kontribut “…për kërkimin e një stili komunikues të hapur dhe krijues, që të mos jetë kurrë i gatshëm t’i lejojë të keqes një rol protagonist, por të kërkojë të nxjerrë në dritë zgjidhjet e mundshme, duke i dhënë frymë një qasje propozuese dhe të përgjegjshme tek personat të cilëve u komunikohet lajmi”.
Mbretëria e Hyjit është tashmë në mesin tonë, – vazhdon Françesku – si një farë e fshehur nga shikimi sipërfaqësor dhe rritja e së cilës ndodh në heshtje. “Kush ka sy, që janë të pastruar nga Shpirti i Shenjtë, arrin ta shohë duke mbirë dhe nuk lejon që t’i rrëmbehet gëzimi i Mbretërisë për shkak të egjrës që është gjithnjë e pranishme”.
Lajmi i keq dhe tronditës në fakt na është bërë pjesë e përditshmërisë tonë dhe duhet patjetër një antikorp, sepse gati-gati po përgjumin ndërgjegjen tonë dhe po bëhemi apatikë, të paaftë për të reaguar ndaj të keqes duke menduar se asaj nuk mund t’i vëmë një cak.
Por e keqja e ka një cak, e ka një fund dhe e mira e bukura është më e madhe dhe më e fortë se e keqja. Këtu kapet dhe zhvillohet edhe shpresa jonë. “Edhe sot – përfundon Papa Françesku – është Shpirti Shenjtë që ka mbjellë te ne dëshirën e Mbretërisë, nëpërmjet shumë “kanaleve” të gjalla, nëpërmjet personave që e lënë veten të udhëhiqen nga Lajmi i Mirë në mes të dramës së historisë, dhe janë si farë në errësirën e kësaj bote, që ndriçojnë drejtimin dhe hapin shtigje të reja në besim dhe në shpresë”