Një vit që prej rasteve të para me Covid-19 në vendin tonë, shifrat e të infektuarve vijojnë të mbeten të larta. Mjeku i njohur infeksionist, Pëllumb Pipero, ditën e sotme ka folur për situatën e pandemisë në vend, rritjen e numrit të rasteve dhe respektimin e masave anti-Covid. Po ashtu doktor Pipero dha mendimin e tij nëse duhej të merren masa të tjera shtesë, të cilat në fakt janë paralajmëruar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, por deri më tani nuk është vendosur asgjë. Sipas mjekut infeksionist e rëndësishme është që të kufizohen lëvizjet në fundjavë, duke shtuar se ai nuk mendon për mbyllje të vendit.
“Për mua duhet të ndalohet udhëtimi jashtë Tirane. Në fundjavë duhet të ketë një ndalim të kalimit nga një rajon tek tjetri, pasi mbipopullimi i lokaleve sjell transmetim të Covid-19. Po ashtu duhet të respektohen më shumë masat aktuale. Unë mendoj që lokalet të zbatojnë masa strikte dhe nëse ato respektohen dhe kufizohen lëvizjet në fundjave, mund të frenohet edhe përhapja e virusit. Për mua si mjek, indikator kryesor nuk është numri i rasteve të infeksioneve, por numri i rasteve që shtrohen në spital. Numri i atyre që shtrohen në spital është real, i rasteve të rënda, i atyre që humbasin jetën këto janë indikatorë që mua si mjek më shqetësojnë”,- tha Pipero ndër të tjera.
Po ashtu ai tha se qytetarët ende sot e kësaj ditë duhet të ruajnë vigjilencën, me distancën sociale dhe maskat, pasi rreziku mund të shfaqet ngado dhe me përhapjen e mutacioneve të reja është mjaft shqetësuese:
“Numri më i madh i virozës është në ditën e parë. Ditët e para të transmetueshmërisë janë shumë të rrezikshme. Por nuk duhet neglizhuar edhe variantet e reja pasi janë shqetësuese. Theksoj se maskat nuk duhen lëshuar nga dora, po ashtu edhe distanca, pasi nuk mund ta dimë se me çfarë varianti mund të përballemi nesër”