Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat neto nga ky zë në Bilancin e Pagesave për 9-mujorin 2020 kishin vlerën e 155 milionë eurove, në rënie me 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky është njëkohësisht niveli më i ulët i pesë viteve të fundit, thotë Monitor. Metodika e Bilancit të Pagesave klasifikon si të ardhura nga puna kompensimin e punonjësve, që përfshin pagën, shpërblimet dhe përfitime të tjera, të fituara nga individët jorezidentë në një ekonomi, për punën e kryer për rezidentët e kësaj ekonomie.
Në këtë kategori punonjësish përfshihen punonjësit sezonalë apo ata që punësohen për një periudhë afatshkurtër, më pak se një vit, si dhe punëtorët kufitarë, të cilët e kanë qendrën e interesit të tyre ekonomik në vendin e tyre të origjinës. Duket se kriza ekonomike e ka ulur kërkesën për punë jashtë vendit, ndërkohë masat kufizuese kundër përhapjes së Covid-19 e kanë vështirësuar lëvizjen ndërkufitare për qëllime të punësimit sezonal. Rënia më e fortë e të ardhurave nga puna ndodhi pikërisht në tremujorin e dytë të vitit, ku shumica e ekonomive evropiane ishin nën efektin e masave kufizuese