“Situata e pandemisë së koronavirusit është shumë serioze dhe ne duhet të intensifikojmë reagimin tonë në Bashkimin Evropian.”-tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ndërsa fliste nga Brukseli. Ajo ftoi të gjitha shtetet anëtare në BE që të punojnë bashkë në luftën kundër Covid -19, i cili në Evropë po përparon shumë shpejt. Rritja e infeksioneve bëri që Gjermania dhe Franca të marrin vendimin drastik për të shpallur izolimin kombëtar.
Në fjalën e saj, Von der Leyen thotë se duhet të ndryshojnë strategji.
“Ne duhet të ndryshojmë strategji. Të përmirësojmë gjurmimin dhe të intensifikojmë aksesin në teste të shpejta që nxjerrin rezultatet për 15 minuta. Duhen masa të guximshme për të shpëtuar jetë, por të gjithë duhet të veprojmë së bashku. Testet e shpejta të antigjenit po dalin në treg. Kjo mund të luajë një rol të rëndësishëm, por ne do të propozojmë një qasje të komunitetit për miratimin dhe përdorimin e tyre. Ne i bëjmë thirrje shteteve anëtare që të përgatisin planet kombëtare të vaksinimit tani dhe t’i rishikojnë ato në nivelin evropian. Duhet të jemi të përgatitur për vaksinën e parë që do të mbërrijë. Ka shumë për të bërë. Krishtlindjet e këtij viti do të festohen. E gjitha varet nga sjellja jonë, nga ajo e individëve, nga sjellja në nivel rajonal, nga shtetet anëtare dhe në nivelin evropian, nga mënyra se si ne do ta menaxhojmë pandeminë në javët e ardhshme. Do të jenë Krishtlindje ndryshe.”- tha Von der Leyen.