Ndryshe nga vitet e tjera, kryeqyteti është zbukuruar më herët këtë vit dhe sonte janë ndezur zyrtarisht dritat në Tiranë duke paralajmëruar kështu festat e fundvitit.
Këtë vit festat na gjejnë ndryshe ne dhe gjithë botën. Kudo kemi parë foto dhe video teksa festimet kanë nisur pak më herët këtë vit, ndoshta dhe për të mbushur veten dhe familjarët e fëmijët kudo ku ndodhen me pozitivitet, për shkak se vazhdojmë të jemi nën masat ant-COVID.
Kryeqyteti ka ndezur mbrëmjen e sotme dritat e pemës së festave të fundvitit. Fëmijë dhe të rritur janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, duke përcjellë mesazhe shprese.
Në respekt edhe të vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve lidhur me masat anti-Covid, 10 vogëlushë të Korit të Fëmijëve “Mrekullia” ndezën dritat e pemës festive.
Megjithatë, në shesh kanë qenë shumë qytetarë kureshtarë, të cilët kanë bërë dhe foto nën ndriçimin e dritave dhe zbukurimeve. Ndërsa shtëpizat duket se këtë vit do mungojnë.
Pandemi dhe festa, Tirana këtë vit ndezi dritat para kohe
Kreu i Bashkisë Veliaj tha në fjalën tij:
“Unë e di që ky vit prej tërmeteve, prej pandemisë, ka qenë shumë i vështirë për shumë familje. Disa kanë humbur shtëpinë, disa kanë humbur të afërmit e tyre, disa të tjerë janë ende duke vuajtur pasojat e Covid-it ose duke u përballur në frontin e parë të kësaj beteje. E megjithatë, duhet të japim mesazhe shprese të një Tirane që nuk përkulet, të një qyteti që ecën përpara, të një komuniteti që bëhet bashkë si në ditët e vështira, ashtu dhe në ditët e gëzimit. Prej protokollit të pandemisë shumë aktivitete janë të ndaluara, shumë tubime, shumë festa, shumë organizime me njerëz janë gjithashtu të ndaluara. Kjo është arsyeja pse sot sheshit “Skëndërbej”, në këtë ndezje të dritave të festave ua kemi lënë 10 vogëlushëve, sa është numri që lejohet në çdo aktivitet.”