U largua nga vendi i tij për të siguruar një jetë më të mirë, por gjendja e tij është kjo që shihni në pamje. I mavijosur në sy dhe trup, emigranti maroken, që kishte hyrë ilegalisht në vendin tonë ka një thirrje të dëshpëruar nga Durrësi. Elmedi Nouak rrëfen për gazetaren e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Klodjana Haxhiaj se është dhunuar barbarisht nga policia e Durrësit, ndërsa pohon se për 5 ditë ka qëndruar i izoluar në birucë dhe lakuriq, e mbi të gjitha pa ngrenë.
Ai akuzon policinë se i ka marrë edhe telefonin, duke bërë që ai të shkëpusë lidhjet edhe me familjen e tij në Marok që prej muajit të ramazanit. Babai i 2 fëmijëve, i zbathur dhe i torturuar qëndron para drejtorisë së policisë së qytetit bregdetar, në pritje të një përgjigjeje për të marrë celularin e tij. Teksa mundohet të sqarojë ngjarjen me anglishten e tij, emigranti ngre edhe bluzën ku tregon shenjat e dhunës, ndërsa vigonin e ka ende në krahun e majtë.
“Kam qëndruar 5 ditë në birucë lakuriq dhe pa ngrenë. Më pas 3 persona, policë, më morëm me makinë dhe më kanë lënë në një zonë rreth 20 km larg. Mendoja se do më çonin në Rinas për të më ekstraduar, por mbaj mend që kur jam përmendur tek ajo zona ishte një fushë dhe isha lakuriq. Kam dalë në rrugë dhe kam bërë autostop. Më kanë sjellë në spital dhe kam qëndruar aty 3 ditë. Kam lënë spitalin, se dua telefonin tim. Kam që në Ramazan që pa folur me familjen, janë bërë merak për mua. Telefonin ma kanë marrë policët dhe unë e dua se do flas me prindërit e fëmijët. Më kanë lënë zbathur. Kam familje, dua telefonin. Policia ma mori. Isha në spital. Kam 3 muaj që qëndroj në Durrës, nuk kam dokumente. Kam ardhur këtu dhe iu jam lutur që të më japin telefonin. Kam ndenjur 7 ditë pa ngrenë, isha dhe në spital Më ka rrahur policia kështu. Dua që të shkoj në Itali, inshallah”, tha ai mes dëshpërimit.
Vetëm pas intervistës së dhënë për gazetaren Haxhiaj, oficerët e policisë kanë thirrur emigrantin për të dhënë dëshminë e tij, i cili qëndronte para zyrave të komisariatit që prej orës 7 të mëngjesit.