Sot mbyllet afati që kanë tatimpaguesit për të aplikuar për pagën e luftës prej 40 mijë lekësh, për punonjësit e mbetur të papunë, dhe përfituesit e tjerë. Pas ditës së sotme sipas Administratës Tatimore, të gjithë ata që nuk kanë aplikuar do të gjobiten me 50 mijë lekë për çdo aplikim që nuk kanë bërë, ndërsa lekët për punonjësit i paguan shteti.
Por Drejtoria e Tatimeve u ka dhënë mundësi tatimpaguesve që nuk aplikojnë, të sqarojnë qëndrimin e tyre se cilat janë argumentet për të shmangur gjobën 50 mijë lekë për cdo punonjës deri në vlerësimin e arsyeve të paraqitura.
Depozitimi i sqarimit nga bizneset parashikohej të bëhej te faqja e Tatimeve në hapësirën ‘Çështja ime’. Por shërbimi është jashtë funksionit, i bllokuar dhe nuk pranon ankimimet. Disa tatimpagues kanë ngritur shqetësimin duke kërkuar ndihmë përmes Report Tv se hapësira ‘Çështja ime’ te Tatimet nuk është funksionale prej ditës së djeshme.
Në këtë mënyrë, bizneset që nuk kanë aplikuar, por mendojnë se kanë të drejtën me vete rrezikojnë që të penalizohen me 50 mijë lekë gjobë për cdo punonjës nëse nuk depozitojnë argumentet. Përballë një situate të tillë kompanitë janë të shqetësuara duke kërkuar ndërhyrjen për rregullimin e menjëhershëm të sistemit online.