Vëzhgim/Rihapen lokalet dhe restorantet. Si po respektohen rregullat e vendosura për shkak të Covid-19 dhe sa e vështirë është puna në këto kushte
Enida Vërça
Kjo e hënë shënoi hapjen e lokaleve dhe restoranteve, pas një pezullimi mbi dy muaji. Çdo biznes i tillë mund të qëndrojë i hapur deri në orën 21:00, por me rregullat e posaçme. Aktiviteti i tyre do të lejohet vetëm në ambiente e jashtme. Për të parë se si po zbatohen rregullat e vendosura nga situata e krijuar prej Covid-19, “Shekulli” ishte i pranishëm sot në disa zona kryesore për të parë nga afër se si po e ushtrojnë këtë veprimtari këto biznese. Në hyrje të çdo bari dhe restoranti është i vendosur një dezinfektantë, të cilit mund ta përdorin të gjithë klientët që hyjnë. Bashkë me dezinfektantët në derë qëndrojnë të vendosura njoftimet informative mbi Covid-19. Të tilla si numri i urgjencës, simptomat e Covid-19, sjellja e klientëve në bare dhe restorante si dhe sjellja që duhet të kenë kamerierët me klientët, siç është ruajtja e distancës, apo përdorimi i mjeteve që minimizojnë përhapjen e virusit.
Shërbimi
Në zonën e bllokut, në qendrën e Tiranës edhe në rrugën e ‘Elbasanit’ vihet re zbatimi me përpikëmëri i protokolleve të veçanta të miratuara më herët nga Komiteti i Ekspertëve. Kështu kamerierët janë të pajisur me doreza, me maska dhe qëndrojnë larg njëri-tjetrit. Edhe kur shkojnë për të marrë porositë në çdo tavolinë, mbajnë distancën që duhet. Të pyetur për ditën e parë të punës, pas një pezullimi dy mujor, ata thonë se çdo gjë duket siç e lanë para mbylljes, me një ndryshim, shtimi i maskave dhe dorezave. “Si ditë e parë që ka qenë, ka patur shumë fluks, e vetmja gjë që kanë kërkuar klientët është kafe, makiato. Ne po përpiqemi, që të ruajmë distancën mes kolegëve dhe klientëve. Para se të nisim punën, matim temperaturën. Kjo gjë ka ndodhur dy herë për sot dhe kështu do jetë gjithmonë”, thotë Altini, kamerierë në një nga lokalet në zonën e bllokut. Bernardi, i cili prej më shumë se tre vitesh punon kamerierë thotë se është e vështirë të punohet me maska dhe doreza. “Maska duket sikur të merrë frymën. Shumë vështirë është, urojmë të mësohemi, ose të mos jetë e nevojshme mbajtja e tyre për një kohë të gjatë”.
Distanca
Nëse punonjësit përpiqen që të ruajnë distancën dhe të respektojnë rregullat e posaçme, nga klientët nuk vihet re një gjë e tillë. Ndoshta për shkak të mënyrës së si janë organizuar ambientet e jashtme. Çdo tavolinë ka nga katër karrige dhe distanca mes klientëve nuk i kalon as 1 metër. Të pashqetësuar për rregullat e distancimit fizik klientët janë të lumtur që më në fund kafenetë u hapën dhe mund t’i rikthehen normalitetit, aty ku e lanë më 9 mars. “O Zot se po çmendeshim, ne pa bukë rrimë por pa dalë nëpër kafe është vështirë (Qesh)”, thotë një klient i cili prej më shumë se dy orësh ka dalë me miqtë në një kafene, në zonën e rrugës së Elbasanit. “Ne po përpiqemi të respketojmë rregullat që na thonë, por duket sikur kaloi”, thotë ai më tej.
Maskat
Hapja e lokaleve shënoi rikthimin në normalitet të vendit edhe pse këshillohet që të respektohen të gjitha masat, pasi me këtë vendim rreziku i përhapjes së virusit është i lartë. Në shumë kafenë apo restorante, edhe pse klientët nuk respektojnë rregullat e distancimit, maskat dhe dorezat nuk mungojnë nga ana e tyre. Takimi mes njëri-tjetrit është me bërryl, po ka shumë edhe nga ata që me maskat e doreza përqafohen pas një kohë të gjatë.
Rregullat
Referuar udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë, administratorët e bareve dhe restoranteve duhet të jenë nën monitorim të vazhdueshëm të gjendjes së punonjësve të tyre dhe nuk duhet lejuar askush të vijë në punë nëse shfaq simptoma të COVID-19 dhe ka temperaturë 37.5. Nëse punonjësit shfaqin simptomat duhet telefonuar menjëherë mjeku i familjes. Gjithashtu çdo punonjës i bar-kafesë ose restorantit është i detyruar të deklarojë te përgjegjësi nëse ka pasur kontakt me persona të cilët rezultojnë apo kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Ndërkohë në lidhje me tavolinat duhet respektuar distanca nga pjesa e pasme e një karrige në pjesën e pasme të një karrige tjetër të jetë të paktën 1m larg, e për rrjedhojë, klientët ta shohin përballë njëri-tjetrin nga një distancë prej të paktën 2m. Subjekti bar – kafe ose restorant për të ruajtur distancimin fizik me klientët duhet të sigurojë një korridor të dedikuar për klientët deri në nivelin e arkës dhe duhet të vendosë shenjat vizuale në dysheme, shirita me ngjyra, ose shenja për t’u treguar klientëve respektimin e distancës fizike.