Tashmë është zyrtare. RTSH dhe Oversport arrijnë marëveshjen për transmetimin e një ndeshje në javë të Kategorisë Superiore dhe një ndeshje në javë të Kategorisë së parë të futbollit kombëtar.
Oversport, si kompania që zotëron të drejtat ekskluzive për 3 vitet në vazhdim ka zgjedhur transmetuesin publik për partnerin e saj në transmetimin pa pagesë, duke plotësuar kështu një prej kushteve të kontratës lidhur me FSHF-në. Një ndeshje për çdo javë, të Abissnet Superiore dhe Kategorisë së parë do të vijë në kanalet e platformës së transmetuesit publik RTSH 1 dhe RTSH Sport për sezonet 2022/2023, 2023/2024 dhe 2024/2025. Ky është një lajm i mirë për publikun duke qënë se RTSH mbulon thuajse 96% të territorit dhe tashmë shqiptarët mund të ndjekin cdo javë skuadrat e tyre të preferuara. Kështu, pas 4 vitesh mungesë, RTSH risjell në ekranin “mëmë” kampionatin që është transmetuar qysh në mesin e viteve 80 me një nga ndeshjet më interesante të javës si në kategorinë e më të mirëve, ashtu edhe në Kategorinë e pare, ku ka shumë prej ekipeve që kanë bërë historinë e futbollit shqiptar.
“Abissnet Superiore” do të gjejë tashmë një trajtim më të zgjeruar në ekranin e gjithë shqiptarëve duke trajtuar jo vetëm ndeshjen direkt, por edhe emisionet pasuese para dhe pas ndeshjeve që do të transmetohen me zërin e protagonistëve të fushës. Ndërkohë, që analizën e zgjeruar për futbollin shqiptar dhe ngjarjet më të rëndësishme të sportit kombëtar do të gjejnë pasqyrimin në emisionin sportiv më jetëgjatë në transmetim, Rubrikën Sportive, çdo ditë të hënë në orën 22.00.
Për javën e dytë të Kategorisë Superiore, RTSH ka përzgjedhur derbin e veriut, mes Vllaznisë dhe Kukësit, që luhet ditën e dielë në orën 19.30 në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës.