Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Rindërtimit Ahmetaj dhe kryebashkiaku i Shijakut ishin sot në Gjepalaj për të inaguruar përfundimin e tre banesave të ndërtuara pas tërmetit, përkatësisht të familjeve Gjepali, Doda dhe Rusi.
Në banesën e Osman Rusit, shefi i qeverisë iu desh ti bindet rregullave të të zotit të shtëpisë, duke hequr atletet bashkë me Ahmetaj.
Rama: Unë nuk po i heq këpucët Osman, të më falësh.
Osmani: Mirë është ti heqësh.
Rama: Epo s’po ta prish, nuk kam çfarë bëj.
Sapo u futën në sallonin e shtëpisë, sytë e Ramës shkuan te ngjyra e kuqe e çorapeve të Ahmetaj duke e bërë nostalgjik për kohën kur vishte çorape me ngjyra.
Rama: Ky mi ka marrë çorapet e mia. Më e keqja iku, më të mirën kemi përpara.A morë Osman çfarë na bëre, ta mori mendja që do të hiqte këpucët Kryeministri te shtëpia e re? Ja si është jeta.
Kryeministri Rama ka shpallur objektivin që 400 familje në bashkinë e Shijakut do ta festojnë Vitin e Ri nën strehën e rindërtuar.
Për t’ju përmbajtur këtij objektivi Ahmetaj tha se do të nxisë firmat të punojnë me dy turne.
Ahmetaj: Në zonën e bashkisë së Shijakut besoj se do të kemi 400 banesa të përfunduara. Sigurisht kemi nevojë ti shtyjmë firmat që punojnë me njësitë individuale të punojnë me dy turne. Midis marsit dhe majit të vitit të tjetër të gjithë banesat që kanë nisur do të kenë përfunduar.