Ori Nebijaj do tërhiqet përfundimisht nga televizioni. Mbrëmjen e sotme ajo na ka njohur me vendimin e papritur. E ftuar në emisionin “Binjakët”, moderatorja zbuloi se do të heqë dorë përfundimisht nga televizioni, duke shtuar se ka rënë dakord me drejtuesit që të mbyllë këtë sezon, duke qenë se mund ta ndiqte në të njëjtën kohë me fushatën.
“Do ta lë televizionin, sepse unë do bëhem deputete. Edhe nëse nuk do bëhem deputete, do të largohem, sepse unë do të jem në politikë”, u shpreh Ori e bindur për vendimin e saj.
Kujtojmë se Ori kandidon si deputete në listat e Partisë Demokratike, ku renditet e 18-ta në listën e Tiranës. Prej vitesh ajo ka qenë pjesë e strukturave të Partisë Demokratike si zëdhënëse dhe ka kandiduar për drejtimin e FRPD-së përballë Belind Këlliçit.