Prishtina International Film Festival publikoi disa javë më parë projektin e saj më të ri “Prishtina Kino Kabaret”. Kjo celulë synon të bashkojë artistë dhe filmbërës nga e gjithë bota për të krijuar gjatë një jave prodhimet e tyre artistike në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Ndaj, në një sipërmarrje kaq ambicioze, sigurisht që duhej një udhëheqës po aq ambicioz e kreativ, siç është regjisori Orhan Kerkezi, që është edhe bashkëthemelues i PriFest.
“Duke patur parasysh eksperiencën e Kerkezit si filmbërës, prodhues programesh televizive, krijues dokumentarësh apo spoteve televizive, mendoj që nuk do kishte kurrsesi dikë më të përshtatshëm për të marrë përsipër udheheqjen e edicionit te parë të “Prishtina Kino Kabaret” u shpreh Vjosa Berisha, drejtoreshë e PriFest.
“Gjatë karrierës së tij, Orhan Kerkezi ka punuar me shumë artistë nderkombetarë, dhe për pjesmarrësit e ‘Prishtina Kino Kabaret’ është gjithashtu një mundësi shumë e mirë që të njihen me të dhe eksperiencën e këtij artisti që ka qenë gjithmonë mik dhe mbështetës i festivalit” perfundoi Berisha.
Në grupin e personave që do realizojnë Prishtina Kino Kabaret është edhe dizajneri Agon Nimani, i cili është gjithashtu pedagog pranë Universitetit Amerikan ne Prishtine në degën e Multimedias.
Pjestarja më e re e trinomit të Prishtina Kino Kabaret është dhe Rita Krasniqi, studente e degës së regjisë dhe krijuese e shumë projekteve individuale të cilat janë vlerësuar nga shumë evente artistike të rajonit e më gjerë.
Prishtina Kino Kabaret do zhvillohet gjatë Prishtina International Film Festival, në javën e 22 – 29 Prill. Pjesmarrësit janë artistë nga Kosova, Shqipëria dhe shtete të ndryshmë të botës të cilët do krijojnë për vetëm shtatë ditë një film/dokumentar/videoart me një staf të krijuar spontanisht midis atyre që janë në Kabaret.