Sapo ka publikuar këngën e saj më të re “Sa Keq“, konkurruese në Këngën Magjike 2014. Këngëtarja Orgesa Zaimi i është rikthyer skenës shqiptare me një këngë në gjuhen shqipe pas hiteve të saj si “Automatic” dhe “Between A Rock And A Hard Place”, pjesë e albumit të saj të parë në gjuhën angleze “Brand New Day“, që do të publikohet së shpejti dhe me të cilin Orgesa synon tregun nderkombetar. Për të mësuar më shumë rreth projektit të saj më të ri, kemi takuar OZ në ambientet e radio Club FM, ku ajo moderon emisionin e saj të përditshëm “Music Box”.
Përshëndetje Orgesa, kënaqësi që takohemi përsëri. Sapo keni publikuar këngën tuaj të re “Sa Keq”. Na tregoni pak më shumë për këtë projekt?
Kënga “Sa Keq” është konkuruese në festivalin Kënga Magjike 2014, me të cilën vendosa të rikthehem pas 5 vitesh mungesë. Teksti i këngës është shkruar nga mikesha ime Ronela Hajati dhe trajton temën e miqësi, një miqësi midis dy personave që ka mbaruar por që kujtohet me keqardhje pas shumë vitesh nga njëri prej tyre dhe do donte mos të kishte gabuar për të humbur një mik të shtrenjtë. Për muzikën është kujdesur Yorgos Benardos ndërsa për orkestrimin Dominique Meyer.
Keni vendosur t’i riktheheni Këngës Magjike pas daljes tuaj me këngën “Pasqyrat” në vitin 2009. Pse vendoset t’i riktheheni këtij festivali?
Në fakt, gjatë këtyre 5 viteve mungesë në këtë festival, kam pasur mundësi të krijoj një profil timin me profesional. Falë bashkëpunimit me produksionin zvicerian Domino, me të cilet po përgatitemi për nxjerrjen e albumit të parë në gjuhën angleze, kam patur mundësi të jem pranë publikut me publikimet e këngëve dhe videove në gjuhën angleze. Nga ana tjetër, vetë promovimi që kam bërë në televizione po ashtu dhe puna ime e përditshme në radio kanë qenë mënyra më e mire për të treguar vlerat e mija si artiste, megjithatë një festival i tillë të krijon dinamika më të mëdha në reklamimin e këngëve dhe të artistit.
A pret Orgesa ndonjë çmim këtë edicion të Këngës Magjike?
Nuk kam vendosur të rikthehem me pretendimin për të fituar ndonjë çmim, dhe nuk do të mërzitesha aspak nëse kolegët nuk më votojnë mjaftueshëm për arritur në natën finale, për mua ka rëndësi pritja e publikut dhe kritikës dhe rikthimi në një nga festivalet më cilësore në vend.
Në performancën e kënges “Sa Keq”, ndryshe nga sa jemi mësuar t’a shohim Orgesën, në look-un tuaj ka dominuar ngjyra e bardhë. Kush është kujdesur për paraqitjen?
Kam preferuar t’i largohem këtë herë ngjyrës së zezë për të ardhur paksa ndryshe. Për veshjen jam kujdesur vetë shpresojë që t’i kem pëlqyer publikut dhe në veçanti fansave te mi.
Më lart përmendët albumin tuaj në gjuhën angleze, të cilin personalisht mezi po e pres, kur do të kemi mundësi ta bëjme tonin?
Albumi im i parë në gjuhen angleze, i cili fillimisht ishte projektuar për t’u publikuar në versionin CD, është parashikuar për tu publikuar në muajin dhjetor në platformën iTunes. Produksioni ka vendosur t’a hedh poshtë projektin për ta nxjerrë në shitje albunin në CD, duke pasur parasysh që vitet e fundit publiku muzikëdashës është i drejtuar me së shumti dyqaneve online të muzikës.
Përveç angazhimeve tuaja të përditshme, ju jeni një nga të paktat artiste që kanë vendosur të japin kontributin e tyre në fushatën e ndërgjegjsimit në mbështetje të personave me sindromën Down. Sa e rëndësishme është për ju të qenit prezentë në aktivitete të tilla?
Është viti i dytë që jam pjesë e kësaj fushate ndërgjegjësimi në mbështetje të komunitetit të DSA (Down Sindrom Albania). Sëbashku me mikeshën time Kamela Islamaj jemi ofruar që të këndojmë në koncerte për ta falas. Një sipërmarrje e tillë, vërtetë nuk ka përfitim monetar, por për mua ka më teper se kaq… Ndihma sadopak e vogël për ta mua më gëzon, sepse këta fëmijë kanë nevojë për dashuri dhe mbështetje për të qenë të lumtur në shoqërinë tonë, edhe pse kanë vetëm një kromozom më shumë se ne që i bën më të lumtur, më të qeshur por edhe më të ndjeshëm. Po ashtu, kemi ftuar dhe shumë kolegë tanët, që për një arsye ose një tjetër, ose kanë qenë të angazhuar ose nuk i’u ka interesuar kjo nismë. Për mua pjesëmarrja në të tilla aktivitete është një detyrim i të gjithëve.
Do të kemi një tjetër projekt muzikor nga ju?
Në projektet e mia më të reja bën pjesë dhe një video në bashkëpunim me Kamela Islamaj, që do të shërbej në fushatën e fëmijëve me sindomën Down.
Ekskluzive © IMA // Intervistoi N. L.
Kënga “Sa Keq” konkuruese në festivalin Kënga Magjike 2014. Për të votuar këngën kliko këtu