SPAK ka nisur hetimin për 13 kompani CallCenterash me qendër në Tiranë pasi dyshohet se kanë mashtruar me shuma të mëdha një numër të konsiderueshëm qytetarësh të Bashkimit Europian.
Gazetari Ermal Vija mëson për abcnews.al se hetimet e SPAK janë duke u kryer në kuadër të organizatës kriminale pas kërkesave nga Gjermania dhe Holanda.
Punonjës të Call Centerave që njihen si “call center bursash” telefononin nga zyrat e tyre qytetarët e BE-së duke iu premtuar se nëse investonin shuma të mëdha në bursë apo në kriptomonedha do të siguronin fitime të mëdha.
Mashtrimi zgjaste për disa javë apo muaj pasi fillimisht viktimës i merrej një shumë e vogël pararash dhe më pas nën premtimin për fitime të mëdha bindej që të investonte edhe më tepër.
Në fund, telefonuesi zhdukej duke i marrë të gjitha paratë investitorit nga BE, të cilat kalonin në numrin e llogarisë së kompanisë së Call Centerave, nga të cilat operatori shqiptar fitonte përqindje të majme.