Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pritet të mbledhë pas pak grupin parlamentar të PD.
Opozita do të krijojë tre grupe parlamentare. Kështu, siç thekson gazetari Stafa, në Kuvend do të jenë grupi parlamentar i PD, ai i PDIU dhe ai i aleatëve të tjerë të Bashës, përkatësisht PR, PAA, LZHK dhe PBDNJ.
Këto të fundit, do të krijojnë grupet parlamentare me ndihmë të Partisë Demokratike, pasi një grup parlamentar duhet të ketë të paktën 7 deputetë. Për këtë arsye, PD do t’i japë PDIU, e cila mori në zgjedhjet e 25 prillit 3 deputetë, edhe 4 deputetë të tjerë, për të krijuar grupin e saj parlamentar.
Gjithashtu, PD do iu japë 3 deputetë partive të tjera aleate PR, LZHK, PAA dhe PBDNJ, të cilat morën në zgjedhje 4 deputetë. Sa i përket, Lëvizjes Socialiste për Integrim, gazetari Stafa theksoi se, referuar burimeve, mbetet “i ngrirë” raporti i PD me LSI, pasi nuk ka pasur kontakte mes tyre për dhënie-marrje deputetësh.
Më herët, gjatë orëve të paradites së sotme, kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar një mbledhje me 7 deputetët Tomor Alizoti, Belind Këlliçi, Ervin Salianji, JoridaTabaku, Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj, Alfred Rushaj.
Fokusi i takimit ka qenë qasja në publik për “çështjen Berisha”. Në këtë takim është diskutuar se çfarë mesazhi do i transmetohet publikut, për këtë tematikë.
Kujtojmë se në orën 17:00 do të zhvillohet seanca e radhës plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku do të caktohen sekretariatet, komisionet, si dhe byroja. Sa i përket komisioneve, nga 8 në total, tre do të drejtohen nga PD, ndërsa në pesë të tjerat, Partia Demokratike do të ketë postin e nënkryetarit. Një orë para seancës ne PD është njoftuar mbledhja e grupit parlamentar.