Të gjithë të prekurit me Covid-19 në Shqipëri tashmë do të mundësinë të trajtohen me terapinë e plazmës në spitalet tona.
Ky lajm shumë i mirë është dhënë pak më parë nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Gjatë një vizite në QSUT, Manastirliu pohoi se ka nisur puna për krijimin e Bankës së Gjakut për t’ju vënë në shërbim të infektuarve me koronavirus.
“Jemi me ekipin e QSUT, në këtë moment të rëndësishëm të ecurisë së planit tonë përsa i përket edhe shtimit të një trajtimi të ri terapeutik që është trajtimi me plazmën kovaleshente.”
Manastirliu apeloi të gjithë qytetarët të kontribuojnë duke dhuruar gjak për t’ju ardhur në ndihmë të infektuarve.
“Sot ne nisim fushatën ‘Bëhu hero për dikë që ka nevojë për ty’ dhe tashmë kemi dhuruesit e parë që e kanë kaluar sëmundjen por është e rëndësishme që të krijojmë zinxhirin e solidaritetit, për të ndërtuar bankën e plazmës për të ndihmuar ata qytetarë që kanë nevojë për këtë trajtim mjekësor në dy spitalet COVID”, tha ministrja ndër të tjera.