Pas situatës që është krijuar nga Covid-19 në shumë vende të botës, me përhapjen edhe të varianteve të reja të koronavirusit, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) mbështet përdorimin e vaksinës së zhvilluar nga Universiteti i Oxford-it dhe AstraZeneca.
OBSH ka deklaruar se vaksina AstraZeneca mund të përdoret edhe në shtetet ku janë shfaqur variante të reja të Covid, të cilat i bëjnë vaksinat më pak efektive. Po ashtu lrekomandohet edhe aplikimi i kësaj vaksine edhe tek njerëz të moshës mbi 65 vjeç, edhe pse shtete kanë këshilluar të kundërtën.
Ndarja e dy dozave, siç po ndodh në Mbretërinë e Bashkuar, e bën vaksinën e AstraZeneca më efektive sipas OBSH. Në fakt ajo është cilësuar si “vaksina për botën” pasi është më e lirë, mund të prodhohet në masë dhe të ruhet në një frigorifer standard.
Megjithatë për përdorimin e saj ka pasur polemika, për shkak të efektivitetit, në varësi të periudhës që duhet të jepen dozat, ndërkohë që ka edhe mungesë të dhënash.
Grupi i Ekspertëve të OBSH-së për Imunizimin, i njohur si Sage, ka kontrolluar provat dhe rekomandimet e tij të përkohshme thonë se vaksina është 63% efektive në përgjithësi.
Të dhënat e hershme nga provat në Afrikën e Jugut treguan se vaksina ofronte “mbrojtje minimale” ndaj simptomave të lehta dhe të moderuara tek të rinjtë.
Gjithsesi drejtoresha e imunizimit të OBSH-së, Dr Katherine O’Brien, tha se studimi i Afrikës së Jugut ishte “i pa përfunduar” dhe kishin arsye të besonin se vaksina do të parandalonte edhe simptomat e rënda.
Shkencëtarët e Oxfordit besojnë dhe janë në pritje që vaksina e tyre të parandalojë që njerëzit të sëmuren rëndë me Covid-19 dhe të kenë nevojë për trajtim spitalor.
“Nuk ka asnjë arsye për të mos rekomanduar përdorimin edhe në vendet që kanë qarkullim të variantit,” tha Dr Alejandro Cravioto, kryetari i Sage i OBSH.
Burimi: BBC