Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se ata do të pa e ndërprerë punën edhe do të shikojnë me partnerët mënyrat për të plotësuar boshllëqet financiare pas tërheqjes së SHBA.
Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus foli në një konferencë për mediat në Gjeneve lidhur me vendimin e presidentit Trump i cili pezulloi financimin e OBSH me argumentimin se nuk kishin menaxhuar siç duhet shpërthimin e koronavirusit.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë prej një kohe të gjatë mik bujar i OBSH-së dhe shpresojmë se do të vazhdojë të jetë kështu,”, tha Tedros. “Na vjen keq për vendimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara për të urdhëruar ndalimin e financimit për OBSH-në”, shtoi ai.
Sa i përket performancës së OBSH-së, kreu i saj tha se ajo do të vlerësohet “në kohën e duhur” dhe “nga vendet anëtare të OBSH-së dhe organe të pavarura që janë krijuar për të siguruar transparencë dhe përgjegjshmëri”.
Dr. Tedros tha: “OBSH-ja po shqyrton ndikimin që mund të ketë në punën tonë një tërheqje e fondeve amerikane. Ne do të punojmë me partnerët për të mbuluar çdo boshllëk financiar me të cilin përballemi dhe për të siguruar që puna jonë do të vazhdojë e pandërprerë.” Por tani, tha ai, është koha që bota të bashkohet kundër shpërthimit të koronavirusit, të cilin ai e përshkroi si një “armik të rrezikshëm”.
Ai rikujtoi se OBSH-ja ndihmon gjithashtu në luftën kundër poliomelitit, fruthit, malaries, Ebolas, HIV, tuberkulozit, kequshqyerjes, kancerit dhe diabetit, në disa prej vendeve më të varfra të botës.
Shtetet e Bashkuara janë kontribuesi më i madh i OBSH-së, me më shumë se 400 milion dollarë për vitin 2019, afërsisht 15% e buxhetit të saj. Presidenti Trump tha se këto fonde nuk ishin përdorur siç duhet pasi OBSH-ja kishte mbështetur ato që kishet thënë Pekini rreth epidemisë duke mos paralajmëruar pjesën tjetër të botës.
Por doktor Mike Ryan, ekspert i lartë i emergjencave në OBSH tha se organizata paralajmëroi më 5 janar të 194 vendet anëtare në lidhje me shpërthimin, si raste të pneumonisë “me origjinë të panjohur” dhe se sekuenca gjenetike e virusit u bë e ditur një javë më vonë.
“Kur OBSH-ja lëshoi udhëzimet e para për vendet e ndryshme, tashmë ishte jashtëzakonisht e qartë se duhet të merreshin masa mbrojtjtëse për frymëmarrjen gjatë trajtimit të pacientëve me këtë sëmundje, sepseekzistonte rreziku që sëmundja të përhapej nga njeriu te njeriu në ato mjedise,” tha ai.