Organizata Botërore e Shëndetit ka paralajmëruar sot se koronavirusi “mund të mos zhduket kurrë”, dhe se do të na duhet të jetojmë me të. Ekspertët e OBSH parashikojnë po ashtu se jemi përpara një krize globale të shëndetit mendor, të shkaktuar nga pandemia. “Është e rëndësishme ta vendosnim edhe këtë mundësi në tryezë: ky virus mund të kthehet thjesht një virus tjetër endemik në komunitetet tona dhr mund të mos zhduket kurrë,” tha Michael Ryan, shefi i urgjencave të OBSH.
Ai parashikon se edhe në skenarin më të mirë, pandemia do të dojë vite të zhduket. Aktualisht ka më shumë se 100 vaksina të mundshme në zhvillim e sipër, por Dr Ryan vuri në dukje se ka sëmundje të tjera, të tilla si fruthi, të cilat ende nuk janë eleminuar pavarësisht se ka vaksina për to. Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus theksoi se ishte ende e mundur të kontrollojmë virusin, por se duhen bërë përpjekje madhore.
“Trajektoria e këtij virusi është në duart tona dhe ne të gjithë duhet të kontribuojmë për të ndaluar këtë pandemi”, tha ai. Një raport i departamentit të shëndetit mendor të OBSH- paralajmëroi një tjetër krizë të shpejtë. “Izolimi, frika, pasiguria, trazirat ekonomike, të gjitha këto shkaktojnë ose mund të shkaktojnë shqetësime psikologjike,” tha drejtoresha e departamentit, Devora Kestel. Ajo tha se bota duhet të presë të përballet me rritjen e sëmundjeve mendore, përfshirë edhe problemet qe mund të shfaqen në mesin e fëmijëve, të rinjve dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor.
“Shëndeti mendor dhe mirëqenia e shoqërive të tëra janë prekur rëndë nga kjo krizë dhe janë një përparësi për t’u adresuar urgjentisht,” tha ajo. Paralajmërimet e tyre të ashpra vijnë pasi disa vende filluan të lehtësojnë gradualisht masat e bllokimit, dhe si SHBA-ja dhe Europa po bëhen gati për rihapjen e ekonomive. Dr Tedros paralajmëroi se nuk kishte asnjë mënyrë të garantuar për të lehtësuar kufizimet pa shkaktuar një valë të dytë të infeksioneve. “Shumë vende do të donin të dilnin nga masat izoluese,” tha shefi i OBSH. “Por rekomandimi ynë është që të jeni vigjilent.”
Këto parlajmërime vijnë ndërkohë që Rusia u bë vendi me numrin e dytë më të madh të të infektuarve, me 242,271 raste, pas SHBA-së që ka më shumë se 1.4 milion raste. Numri zyrtar i vdekjeve në Rusi është 2.212. Moska, qendra e shpërthimit të vendit, përbënte 1.232 prej këtyre vdekjeve. Në SHBA, presidenti Donald Trump tha se paralajmërimet nga eksperti i tij i lartë i sëmundjeve infektive mbi rreziqet e heqjes së masave kufizuese, nuk ishin “të pranueshme”. Trump tha se ai ishte “befasuar” nga komentet e Anthony Fauci për rihapjen e ekonomisë dhe shkollave.
“Për mua nuk është një përgjigje e pranueshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për shkollat,” tha Trump. “Vendi ynë duhet të rihapet dhe duhet ta bëjë sa më shpejt që të jetë e mundur,” tha ai.