Noel Gallagher ka ndezur spekulimet për një ribashkim të mundshëm të Oasis, pasi postoi një teaser të shkurtër në Instagramin e tij, duke paralajmëruar një surprizë më 27 gusht. Ndërsa ky lajm ka trazuar fansat, vëllai i tij Liam Gallagher ka dhënë një konfirmim indirekt për zërat rreth një ribashkimi të grupit legjendar.
Liam postoi një mesazh në X: “See you down the front”, duke lënë të kuptohet se Oasis mund të rikthehet në skenë pas një pushimi prej 15 vitesh. Sipas raportimeve nga mediat britanike, grupi mund të performojë në Heaton Park, Manchester dhe Wembley Stadium, Londër, me mundësinë e një koncerti edhe në Glastonbury.
Oasis, i formuar në vitin 1991, u bë një ikonë e “Britpop” gjatë viteve ’90, duke arritur suksese të mëdha me albumet si “Definitely Maybe” dhe “(What’s the Story) Morning Glory?”. Pas një grindjeje të ashpër mes vëllezërve në vitin 2009, Noel u largua nga grupi, dhe ata nuk kanë performuar së bashku që prej asaj kohe.
Me spekulimet për një ribashkim që sa vijnë e shtohen, pritet që kthimi i Oasis në skenë të jetë një nga ngjarjet më të mëdha të verës së ardhshme, duke e bërë vitin 2025 një vit të paharrueshëm për fansat e Britpop.