Për 14 ditë, Policia e Kosovës ka vendosur mbi 14 mijë gjoba për mosrespektim të masave kundër Covid-19 në tërë Kosovën.
Në një përgjigje me shkrim nga Policia e Kosovës është thënë se shumica e gjobave të vendosura janë për mosmbajtje të maskës, derisa është thënë se janë duke punuar në koordinim të plotë me institucionet e shëndetësisë.
“Policia e Kosovës të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme i ka ndërmarrë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucioneve të tjera relevante, konform edhe angazhimeve dhe detyrave sipas planit për gatishmëri dhe reagim. Urdhri operativ i PK-së ka për qëllim bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve me institucionet qendrore dhe lokale që janë kompetent për luftimin, prevëntimin e rreziqeve nga virusi në fjalë, si dhe përballjen me situata të këtij lloji, në drejtim të koordinimit dhe reagimit me kohë. Policia e Kosovës vazhdon angazhimet e saja në menaxhim dhe zbatim të ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Kosovës, dhe nga data 26.08.2020, PK-ja ka shqiptuar mbi katërmbëdhjetë mijë fletëparaqitje (tiketa)”, është thënë prej Policisë së Kosovës.
Sipas kryeinspektorit sanitar në AUV, që nga hyrja në fuqi e ligjit, numri i gjobave ka rënë, pasi që vetëdija e qytetarëve është rritur dukshëm.
Ibrahim Tershnjaku, kryeinspektor sanitar në AUV, inspektorët gjatë muajit korrik dhe deri para hyrjes në fuqi të ligjit kanë shqiptuar gjithsej 2 mijë e 37 gjoba për persona fizikë e 519 për persona juridikë.
Gjoba më e vogël është 35 euro ajo për personat fizikë për mosmbajtjen e maskës dhe distancës fizike, ndërsa më e larta 2.000 euro për personat juridikë.