Kryeministri Edi Rama informoi sot se “për sa i përket gjendjes së jashtëzakonshme nuk ka arsye për të bërë shtyrje të përgjithshme por po ekzaminojmë idenë e një zone të kufizuar vetëm në vijën bregdetare”.
Rama tha se “kjo po diskutohet për të pasur gjatë sezonit të verës mundësinë që të ushtrojmë fuqinë legjislative në përballje të kësaj situate, për të ndihmuar në mbrojtjen nga përhapja”.
“Nëse nuk do të kemi një shtyrje të përgjithshme do të kemi një zonim vetëm në vijën bregdetare pa përfshirë zonat urbane. Jo në Durrës por në plazhin e Durrësit, jo në Vlorë por në plazhin e Vlorës. Kjo është diçka që po e studiojmë sepse mendojmë se do të ishte ndihmëse për njerëzit e shtetin”, tha Rama.
Ai theksoi se “sot ka përfunduar edhe gjithë procesi i ndërtimit të platformës për të aplikuar online për administrimin e plazheve nga subjektet private, një proces i qendërzuar nga një autoritet i përkohshëm për këtë fazë. Do të bëjmë atë që duhet për të mos lejuar pushtimin e plazheve publike masivisht”.
Rama tha se “do të jemi racional sepse nuk është se do ta fshijmë fare administrimin privat të hapësirave publike, kjo do të bëhet edhe sipas kushteve të caktuara”.
“Do të kërkohet për një sipërfaqe të caktuar apo për një numër të caktuar çadrash për të cilat përgjigjet para ligjit. Kjo për të mbrojtur njerëzit. Nuk besoj se ka arsye për të shtyrë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në gjithë vendin përveç plazhit, por akoma nuk e kemi marrë këtë vendim”, tha Rama. /a.a/