Enxhi Nasiufi jo vetëm që nuk është penduar për deklaratat që bëri kundrjet Anxhela Peristerit kur kjo e fundit fitoi “Festivalin e Këngës”, por edhe mund t’i rithotë përsëri të njejtat fjalë.
Kështu është shprehur vetë Enxhi gjatë një loje në rubrikën “Dielli apo Hëna”, ku iu kërkua nga Nevina Shtylla t’i kërkojë falje Anxhela Peristerit dhe t’i thotë se është penduar.
E mbështetur edhe nga gazetari Flavio Qarri, gjithashtu i pranishëm në studio, Enxhi tha: “Atë që e kam thënë e kam thënë shumë seriozisht se si është interpretuar dhe kujt i ka djeguar është tjetër gjë o vëlla, kujt t’i djegë le ta mbajë. E para për atë si vokaliste nuk kam asnjë gjë, e dyta ka qenë më shumë kritikë për Festivalin që shpesh-herë i zgjedh fituesit para se konkurruesit të shkojnë në festival dhe tjetra mbaj shumë përgjegjshmëri për fjalët që them.”
Çfarë ndodhi mes Enxhit dhe Anxhelës?
Emri i Anxhela Peristerit përflitej si këngëtarja që do të rrëmbente çmimin e parë në Festivalin e RTSH-së, kohë para shpalljes së fituesit.
Konkurrentja e saj, Enxhi Nasufi, e cila nuk arriti të kualifikohej në finale akuzoi Anxhela Peristerin se ishte ajo vetë që shpërndau lajmet se do ishte fituese.
Dhe pasi Anxhela Peristeri rrëmbeu çmimin e parë, ajo reagoi në rrjetet sociale ku i kërkoi këngëtares që të shkojë në kurs aktrimi pasi nuk di të aktrojë.
“Gëzuar Baftjar! Një kuriozitet kisha unë, kush ishte miza dhe kush bleta? Herë tjetër futini ndonjë kurs aktrimi kur merrni cmimin, se nuk di,”– shkroi Enxhi Nasufi.
Teksa u kërkoi këngëtarëve të tregojnë “pak respekt për veten dhe artistët e tjerë”, Enxhi Nasufi shkroi se shpallja e Anxhela Peristerit fituese është paturpësi dhe cinizëm.
“Kësaj i thonë të gënjesh veten me presh! Realisht nuk e di kënaqësinë dhe gëzimin, emocionin dhe energjinë e një cmimi që e di se do e fitosh pa nisur cdo gjë! Ku u zhduk emocioni i të kënduarit, emocioni i të priturit! Dhe më besoni e kam me fenomenin, i cili po bëhet më i shëmtuar dita-ditës. Kjo gjëja nuk ka të bëjë me mua si artiste, por me të gjithë ne. por kur nuk flasim e të mbrojmë veten, artin dhe festivalin shumë mirë të na bëhet. Nëse e meritojmë e jemi të aftë le ta marrim çmimin ashtu pastër e papritur! Le të tregojmë pak respekt për veten dhe artistët e tjerë! Të tilla gjëra në përceptimin tim i quaj cinizma dhe paturpësi, dhe s’ka lidhje me faktin se nuk isha pjesë e finales! Nëse do kapnim thelbin e gjëse do ecnim ndoshta me hapa të tjerë!”- përfundoi ajo.