Festa gjigante e 10-vjetorit të televizionit ‘Ora News’ e mbajtur mbrëmjen e së mërkurës duket se nuk ka kaluar pa polemika. Kjo për shkak se në eventin me 1000 të ftuar të organizuar në ambientet e televizionit, kanë munguar dy figura jo pak të rëndësishme që kanë qenë pjesë e ‘Ora News’ për një kohë të gjatë.
Bëhet fjalë për gazetarin dhe moderatorin Alfred Peza, që tashmë është pjesë e politikës, si dhe për gazetarin dhe moderatorin Armir Shkurti, të cilët kanë reaguar publikisht në Facebook për faktin që nuk kanë qenë të ftuar në festë. Peza nuk e ka fshehur dot zhgënjimin, duke thënë madje se përvjetori nuk ishte ditën e djeshme, por në fakt është në janar dhe ai ka qenë një nga themeluesit.
‘Nëse Xhafer Ypi, si Kryeministër i Shqipërisë i vitit 1922 do të organizonte festimin e 10 vjetorit te shpalljes se Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ismail Bej Vlora do ishte gjallë, do ta kishte vënë në krye të qoshes. Po ti ku je, se nuk po të shoh mes 1400 të ftuarve në 10 vjetorin e Ora News, që po ‘nis një dekadë të re me vizion dhe filozofi bashkëkohore’?! Kështu me shkruan tani një miku im me sms. Fillimisht mendova se mos po bënte shaka, sepse unë televizionin ‘Ora News’ bashkë me shumë kolegë e bashkëpunëtorë, si dhe me botuesin Aleksander Frangaj e kemi themeluar në fund të janarit 2007! Ç’ne që paska festë tani në fund të shtatorit?! Mos e ka ngaterruar gjë me festen e Fevziut?!,- mendova. Por, tani qe hapa televizorin në shtëpi, po shoh qe ai paska folur seriozisht. Edhe une shume seriozisht i uroj stafit aktual edhe shume e shume 10-vjetorë te tjere, sëbashku me Presidentin Ylli Ndroqi. Suksese!’-shkruan Alfred Peza.
Ndërsa Armir Shkurti, në një status në Facebook, nuk e ka kursyer ironinë. ‘Mora vesh se sonte paskësh qenë një festë për 10 vjetorin e Ora News. Nga viti 2011 deri 2014 kam ideuar dhe drejtuar emisionin investigativ shumë të suksesshëm Alarm që pushteti e mbylli. Urime kolegëve me të cilët sakrifikuam, por edhe shijuam!’-shkruan Shkurti